Federalizmi në Maqedoni të Veriut, një ide e qëlluar!?

Shkruan / Lirim Begzati

Duket se vizionet anti-federaliste shpesh shfaqen në disa mjedise të Maqedonisë së Veriut, posaçërisht tek ato të cilat ëndërrojnë mbajtjen e një statu quo dhe aty ku shprehet admirimi për formulën e një shteti nacional, unitar dhe të centralizuar.

Kohëve të fundit, bie në sy edhe fakti se, disa tendenca të tjera, të cilat e vënë në pah nevojën e konsolidimit të bashkëjetesës dhe të një shteti multietnik të qëndrueshëm, nuk hezitojnë që të potencojnë vlefshmërinë e idesë federaliste në kontekstet e këtij shteti, në përputhje me realitetet ekzistuese.

Zhvillimet aktuale dëshmojnë se krizat e njëpasnjëshme që e kanë kapluar Maqedoninë e Veriut kërkojnë sot një përkushtim dhe vëmendje të “ripërtrirë” në fushat e ndryshme, por edhe një zgjidhje më të ekuilibruar, në përputhje nga kërkesat legjitime të komponentëve të ndryshme etnike dhe të interesave të gjithmbarshme të vendit.

Nuk duket aq e imagjinueshme arritja e zgjidhjeve adekuate vetëm përmes formimeve të koalicioneve të një pas njëshme qeveritare! Jo vetëm përmes propozimeve që dalin nga politikat e ditës dhe që fokusohen sidomos në prioritete që e prekin mbrojtjen e interesave partiake. Edhe ndonjë ndryshim kushtetues apo garantimi i respektimit të disa barazive nuk do të ofronin një zgjidhje optimale apo përgjigje të qëndrueshme dhe afatgjate karshi problemeve të akumuluara që kërkojnë një qasje më pragmatike dhe globale.

Debati mbi federalizimin dhe decentralizmin e vendit mund të ofrojë pra një instrument plotësues dhe të vyeshëm për avancimin e shumë reformave të domosdoshme për mirëqenien e këtij shteti.

Në planin praktik, si perceptohet nevoja e federalizmit në Maqedoni?

Organizimi shtetëror në baza federaliste duket se nuk gëzon kureshtjen e duhur në këtë vend. Faktorët të cilët mund të ofrojnë ca elemente sqaruese dhe të cilat paraqesin pengesë në reflektimet mbi perspektivat federaliste në Maqedoni të Veriut mund të rezymohen kësisoj:  frika nga një nocion i tillë, e mbështetur në disa përvoja të hidhura të federatës ish-jugosllave apo edhe më gjerë, mungesa e qasjeve serioze dhe e analizave të duhura mbi implementimin praktik të konceptit të tillë në kontekstin e Maqedonisë, shprehja e dekurajimit tek analistët e ndryshëm të cilët nuk tregojnë besueshmëri ndaj këtij koncepti dhe, në përgjithësi, politika e vendit që nuk ka lënë hapësirë të mjaftueshme për një debat më serioz mbi këtë çështje.

Vërehet edhe prania e një tendence dominuese, sipas së cilës vetëm formula aktuale e organizimit të shtetit është ajo e cila ofron zgjidhje optimale për sigurimin e mirëqenies dhe ruajtjes së integritetit shtetëror.

Lidhur me këtë, nuk duket aspak e besueshme analiza sipas së cilës vetëm një formë e tillë e organizmit shtetëror mund të sigurojë një mbrojtje të mjaftueshme të interesave të vendit, sidomos kur dihet se jetojmë në një hapësirë e cila karakterizohet me një diversitet të natyrave të ndryshme.

Kësaj i shtohet edhe fakti se jetojmë në një shtet i cili, përmes organizmit të tij, sipas formës së privilegjuar këtyre dekadave të fundit, nuk ka arritur të dëshmoj se formula e zgjedhur është e përshtatshme për konsolidimin dhe rruajtjen e një stabiliteti të ekuilibruar, qoftë në nivel të sigurimit të një bashkëjetese të qëndrueshme, qoftë në nivel të rruajtjes së një baraspeshe në hapësirat e ndryshme territoriale që e përbëjnë këtë shtet.  

Është e sigurt se në shtetet e karakterizuara me një përbërje të theksuar multietnike, multikulturore dhe multifetare, privilegjimi i formës së shtetit unitar, nacional dhe të centralizuar, nuk ofron zgjidhje optimale në fushën e rritjes së ndjenjës së përkatësisë shtetërore tek një pjesë e popullatës që e përbënë shtetin përkatës.

Shtetet në fjalë vuajnë nga problemi i mungesës së vullnetit (të arsyeshëm) të një pjese të popullatës së saj që të identifikohet tërësisht dhe pa asnjë rezervë në shtetin e tillë. Kjo vlen edhe për shtetin e Maqedonisë së Veriut.

Çka n’a tregojnë shembujt e të tjerëve?

Zvicra, si një shtet federal, nëse ka arritur që të dëshmoj epitetin e një burimi frymëzimi të bashkëjetesës dhe të prosperitetit, kjo është duke ndodhur falë modelit federal të funksionimit, i cili ekziston tashmë që prej disa shekujve. Belgjika nuk do t’a kishte imagjinuar asnjëherë stabilitetin e saj, poqe së nuk vendoste për formën federaliste të funksionimit shtetëror, duke akorduar një autonomi të zgjeruar për të tri komunitetet dhe regjionet që e përbëjnë këtë shtet. Edhe Kanada, nëse nuk i’a mbante anën organizimit federalist, do t’a kishte vështirë sot që të mbante në gjirin e saj territorin e Kebekut.

Për të tri shembujt e cekura, është interesant fakti se fizionomia e përbërjes multietnike të këtyre shteteve është jashtëzakonisht e ngjashme me atë të Maqedonisë së Veriut.

Një shembull jo aq pozitiv, siç është ai i Spanjës, edhe pse, në formën e organizimit të tij, hasim disa elemente federaliste, është pikërisht zbehtësia e federalizmit ajo e cila ka shkaktuar pakënaqësi në një pjesë të popullatës së saj, duke çuar deri te përhapja e rrymave separatiste në disa rajone të këtij shteti. Kurse shembulli i federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili edhe pse është domethënës nuk është për t’ia pasur lakmi, pasi që siç dihet arsyet nuk mund të vihen në barrë të sistemit federal, por ato  lidhen me faktorë tjerë apo me pasojat që dalin nga lufta.

A mund të inspirohemi në disa nga shembujt e modeleve të suksesshme?

Nuk duhet harruar faktin se vendet të cilat i kanë mbetur besnik modelit të shtetit nacional (apo shtetit kombë), siç është modeli francez, sipas traditës tashmë të njohur të jakobinizmit «republika franceze, vetëm një dhe e pandashme», natyrisht se nuk ka vuajtur aq shumë nga mungesa e federalizmit, pasi që dihet se bëhet fjalë për një shtet i cili nuk karakterizohet me një përbërje të gjerë multietnike. Ky lloj i shteteve të mirëfillta nacionale, nuk do të duhej assesi të shërbej si një referencë inspirimi për shtetet ku mbizotëron diversiteti multietnik.

Lidhur me mundësitë e frymëzimit me modelet shembullore të federalizmit, nuk është aspak e nevojshme të synohet arritja e niveleve të disa shteteve që mund të paraqesin burim frymëzimi për të tjerët. Do të mjaftonte të tregohet kureshtja ndaj asaj që duket e mundshme dhe e realizueshme në realitetet tona, duke pasur parasysh nevojën e adaptimeve në kontekstet tona.

Nuk ka nevojë të bazohemi në një përvojë dështimi. Në të kaluarën, përmes aktit të formimit të një numri të konsiderueshëm të komunave të reja, Maqedonia testoi një formë të decentralizimit, e cila ngërthente në vete ca elemente federaliste. Pati një dështim i cili ndoshta sqarohet me faktin se nuk u bënë të gjitha analizat e domosdoshme paraprake lidhur me realizueshmërinë e një koncepti të tillë në kontekstin e Maqedonisë. Me fjalë të tjera, forma e tillë e organizimit nuk mbështetej gati se aspak në plane apo programe strategjike të qëndrueshme, të nevojshme këto për një operacionalitet dhe funksionim praktik.

Çfarë do të nënkuptonte pak më konkretisht federalizmi në Maqedoni?

Nëplanin socio-ekonomik, përmes federalizmit të vendit, do të mund të synohej më lehtë një dinamikë më interesante, e ekuilibruar dhe më gjithëpërfshirëse e proceseve zhvillimore ekonomike në regjionet e ndryshme, posaçërisht duke kaluar përmes strategjive dhe planeve të ekonomisë regjionale, siç ndodhë sot në ekonomitë e shumë shteteve të zhvilluara, posaçërisht të atyre federaliste.

Përqendrimi i planeve ekonomike në ditët e sotme, bazuar me politikat lokale komunale, dhe pak të përkrahura nga politikat e pushtetit qendror nuk duket se janë frytdhënëse. Kjo vlen edhe për vetë strategjitë zhvillimore ekonomike të pushtetit qendror të cilat nuk duket se iu japin një shtytje të nevojshëm proceseve zhvillimore të ekonomive lokale.

Në planin e mirëfilltë social, forma e tillë e organizimit është, në mes tjerash, edhe një instrument i përshtatshëm për një shpërndarje më të ekuilibruar dhe më të drejtë të resurseve të vendit.

Në planin politik, demokracisë do të mund t’i jepej një ngjyrë tjetër, një shtytje më dinamike. Kështu që pesha e entiteteve të ndryshme në proceset vendim-marrëse të vendit do të kishte një dimension shumë më lë lartë. Bazuar në opsionet e mundshme që i ofron federalizmi, ekzistojnë gjasa reale që të sigurohet një proporcion tjetër pjesëmarrës në instancat politike të disa rajoneve gjeografike, e jo vetëm «sistemi i njëzet deputetëve të tanishëm»!

Për të gjitha virtytet që e karakterizojnë federalizmin, mund të thuhet lirisht se në kontekstin e Maqedonisë, formula e tillë, me siguri se nuk do t’iu shkonte përshtati vetëm popullatave minoritare, por edhe interesave dhe perspektivave të gjithmbarshme të vendit.

Neuchâtel (Zvicër), 14 gusht 2021