Teuta do “hakmarrjen” ndaj Kukësit për turpërimin në kampionat

Është momenti për të njohur për të njohur finalistet e Kupës së Shqipërisë. Sot, në orare të ndryshme do të zhvillohet gjysmëfinalet e kthimit të kompeticionit, Tirana-Bylis (17:45) dhe Teuta-Kukëksi (20:45), dy sfida me llogari të hapura referuar rezultateve të para, pasi është është e pamundur të parashikosh me bindje se cila skuadër do të prekë finalen.

Le ta nisim me përballjen e parë, atë të “Selman Stërmasit”, kur Tirana pret Bylisin në një atmosferë aspak të këndshme, të krijuar nga dyshimet e hedhura për përcaktimin e rezultatit të “Adush Muçës”. Në Ballsh mallakastriotët fituan me përmbysje 2-1, por të dyja skuadrave u është dashur të japin llogari në Komisionin e Etikës në FSHF, për ato episode (rastet e golave) që kanë baltosur garën e pastër.

Si Bylisi ashtu dhe Tiranë janë mbrojtur para anëtarëve të Komisionit të Etikës duke thënë se nuk kanë dijeni për paracaktimin e mundshëm të rezultatit, por provën më të fortë për pastërtinë e tyre duhet ta shfaqin pikërisht në “Selman Stërmasi” me një përplasje të fortë dhe plot rivalitet. Tirana, e cila është shumë pranë fitimit të titullit të 25-të në histori, ka shansin të përmbyllë me “dopietë” një sezon të cilin e nisi me shumë dyshime, ndërsa për Bylisin Kupa është dritarja e vetme për të siguruar një vend në Europë.

Pasi të jetë përcaktuar finalisti i parë i Kupës, në “Niko Dovana” të Durrësit Teuta dhe Kukësi do të jetë gati për të zbritur në fushë për përplasjen e 6-të sezonale mes tyre. Fundjavën e kaluar verilindorët, të ndihmuar edhe nga episodet, u dhanë leksion futbolli “Djemve të Detit” në kampionat, në takimin e luajtur në “Elbasan Arena” (3-0), por barazimi 0-0 i arritur në sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës mban gjithçka të hapur. Sigurisht që Teutës i duhet patjetër të shënojë për t’u kualifikuar e në rast se Kukësi e gjen rrjetën, atëherë për skuadrën e Shehit edhe barazimi do ta kualifikonte në finale. Në “Niko Dovana” do të jetë si një lojë shahu, ku çdo lëvizje duhet të jetë e mirëmenduar, apo ku çdo gabim mund të jetë fatal për rezultatin final.

Kukësi kërkon kualifikimin me pretendimin për ta mbyllur me trofe sezonin, por edhe më i rëndësishëm është ky kompeticion për Teutën, pasi në kampionat gara është e hapur dhe nuk ka siguri për vendin e tretë apo të katërt.