Tërheqja e SHBA-ve nga procesi i zgjedhjes së kryeprokurorëve, Kosova dëmtohet në procesin integrues

Kështu shprehet edhe Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, njëkohësisht ekspert i çështjeve të drejtësisë. Ai për lajmi.net tha se KPK nuk po është në gjendje edhe sa vite pas pavarësisë të ndërtojë procese të apolitike dhe të paanshme.

“Do të jetë një imazh jashtëzakonisht i keq për sistemin e drejtësisë sepse 10 apo 11 vite kemi një drejtësi jo-transparente, qoftë në zgjedhjen e kryeprokurorëve në prokuroritë përkatëse. Në anën tjetër, legaliteti dhe legjitimiteti i kandidatëve mendoj që dëmtohet kur vet KPK nuk është në gjendje të sigurojë procese të paanshme dhe jo-politike”, tha Miftaraj.

Ai gjithashtu është shprehur se Kosova do të dëmtohet në proceset integruese por edhe në procesin e liberalizimit të vizave, pasi tërheqja e ndërkombëtarëve nga ky proces nënkupton imazh të keq për sundimin e ligjit në Kosovë.

“Pa dyshim që ambasada amerikane së bashku me evropianët në njoftimin e bërë qoftë në aspektin financiar qoftë në aspektin e monitorimit besoj se do të vazhdojnë ta bëjnë, por për sundimin e ligjit në Kosovë kjo do të ndikojë në proceset integruese, por edhe për liberalizimin e vizave”, tha ai.

Më tutje, Miftaraj për lajmi.net tha se KPK e ka obligim të vazhdojë procesin e zgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit pasi janë persona që iu skadon mandati.

Sipas tij, KPK e ka momentin e fundit të evitojë keqpërdorimet dhe të japë tek opinioni mesazhin e një procesi të pavarur, transparent dhe apolitik.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka për obligim të vazhdojë këtë proces, për arsye se anëtarëve të Këshillit janë persona që iu skadon mandati dhe po ashtu kryeprokurorëve. Këshilli Prokurorial duhet të evitojë të gjitha keqpërdorimet, çdo situatë të konfliktit të interesit dhe të përçojë tek publiku mesazhin e një procesi të pavarur, transparent dhe apolitik. Nëse bëhet në këto parime do të jetë në rregull, por pa faktorin ndërkombëtar pasojat për integrim dhe liberalizim të vizave do të jenë të mëdha”, shtoi më tutje Miftaraj.

Ai në fund, i pyetur nëse KPK do të arrijë që të sigurojë një proces të tillë, Miftaraj shprehet se është koha e fundit që KPK të kthehet kah legjitimiteti dhe legaliteti.

“Është koha e fundit që këta bartës ta kthejnë vëmendjen kah legaliteti dhe legjitimiteti përndryshe pasojat do të jenë të mëdha për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha ai.

Në mesazhin e tërheqjes nga ky proces, ambasada amerikane është shprehur se: “këto procese janë rrënjësisht të prishura”, duke shtuar se kanë mungesë të transparencës dhe ka konflikt të interesit.

Më tutje, në reagimin e ambasadës së SHBA-ve thuhet se KPK e ka të domosdoshme të kthejë transparencën dhe drejtësinë në këtë sistem.

“Për vjet me radhë, ambasada amerikane ka luajtur rol monitorues dhe mbikëqyrës në procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe zgjedhjes së kryeprokurorëve. Fatkeqësisht, ne besojmë se këto procese janë rrënjësisht të prishura. Atyre u mungon transparenca dhe i ekspozohen gjithnjë e më shumë konfliktit të interesit”, shkruhet në reagimin e Ambasadës amerikane. Prokurorët duhet të zgjidhen mbi bazën e kualifikimeve të tyre, jo përkatësive politike apo lidhjeve. Ndërrimet në kornizën ligjore të KPK-së janë të domosdoshme për kthimin e transparencës dhe drejtësisë në këtë sistem. Rrjedhimisht, u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të mbështesin përpjekjet e Ministrit të Drejtësisë që ta përmbyllin menjëherë Rishikimin Funksional”, u tha në reagimin e ambasadës së SHBA-ve.

Lidhur me këtë vendim të ambasadës amerikane ka reaguar edhe kryeministri Hoti i cili ka thënë se tërheqja nënkupton shqetësim të madh.

“Jam thellë i shqetësuar nga vendimi i Ambasadës së SHBA-ve për tërheqje nga monitorimi i procesit të përzgjedhjes së kryeprokurorëve dhe anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Shqetësimet e tyre duhet të merren seriozisht. Vetëm një proces transparent, pa asnjë konflikt interesi apo ndikimi politik, siguron përzgjedhje mbi baza të meritës. Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Drejtësisë, po punon në reformën në drejtësi, përfshirë vettingun. Ky proces do të sigurojë një sistem të drejtësisë transparent, me llogaridhënie të brendshme dhe kontroll reciprok.”, shkroi Hoti.

Tërheqja e SHBA-ve nga ky proces, alarmoi edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës të cilët në mbledhjen e tyre  urgjente ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte kjo, dolën me një plan pesë pikësh.

“Obligohen të gjithë eproret që në rast se informohen për ndonjë ndikim të papërshtatshëm gjatë proceseve të zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorëve ta raportojnë të njëjtin, po ashtu ndalohet çfarëdo ndikimi nga eproret gjatë proceseve të cekura me lartë; Të rregullohet me ligj, nga institucionet kompetente, procedura në atë mënyrë që anëtarët prokurorë të KPK-së të mos kenë të drejtë të aplikojnë për kryeprokurorë gjatë mandatit të anëtarit të Këshillit, dhe anasjelltas; Anëtarët prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorët do të zgjedhen në bazë të meritokracisë; Kushdo që do të ndikojë në proceset e vlerësimit dhe votimit për anëtarë prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorë mund të rezultojë me largim nga gara dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tyre; I rekomandohet Ministrisë së Drejtësisë që në afat sa më të shpejtë të ndërmarr veprime drejt ndryshimeve ligjore ku përcaktohen rregulla strikte për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe emërimin e kryeprokurorëve”, tha KPK pas mbledhjes.

Mbetet të shihet se cilat do të jenë vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe organeve të drejtësisë për të siguruar proces transparent. /Lajmi.net/