Tentim për “puç” në Bashkësinë Fetare Islame? Pas mesnate shkarkohen 5 drejtorë

Shkup, 23 maj – Në BFI, është parandaluar një tentim për shkarkimin e kreut të BFI-së, Shaqir Fetahu. Kështu mëson jozyrtarisht Alsat edhe pse nga ky institucion fetar nuk pranojnë se ka pasur përpjekje për zëvendësimin e kreut të saj. Nuk ka asnjë njoftim për arsyet që mund të kenë çuar grupin e të pakënaqurve për shkarkimin e Shaqirit ndërkohë që në rrjetet sociale kanë qarkulluar informacionet e tilla. Dyshimet për këto zhvillime në BFI janë shtuar pas vendimit të kreut të saj, Shaqir Fetahu i dielën pas mesnate ka shkarkuar pesë anëtarë të Rijasetit dhe atë:

Ibrahim Idrizi – drejtor i Medresesë “Isa Beu”
Mustafa Dauti – drejtor për komunikim me jashtë
Jusuf Zimeri – drejtor i Sektorit për Çështje Fetare-Arsimore në BFI
Muhamer Veseli – drejtor i Agjencisë për Sistemin Hallall, si dhe
Rexhep Ziberi – drejtor i Shoqatës “Ilmie”

Nga Bashkësia Fetare Islame nuk japin asnjë informatë zyrtare lidhur me arsyet e shkarkimit. Në bisedë të shkurtër me kreun e BFI-së Shaqir Fetahi ai tha se nuk bëhet fjalë për asnjë tentim për shkarkimin e tij, por thotë se është bërë vetëm sistemimi i vendeve të punës.

Alsat tentoi të bisedojë me disa nga të shkarkuarit. Jusuf Zimeri, drejtor i sektorit për çështje Fetare-Arsimore, njëkohësisht edhe kryetar i mexhlisit për fetfa në Maqedoni. Ai tha se ndodhet në pushim mjekësor dhe ende nuk ia kanë dërguar vendimin e shkarkimit.

“Siç duket thirren në sistematizim të vendeve të punës. Unë zyrtarisht prej Rijasetit të BFI-së nuk kam pranuar vendim për shkarkim as për sistemim. Muhabet privat në telefon më kanë thirr miq dhe më kanë treguar njerëzit, por unë jam person institucional dhe zyrtarisht nuk kam pranuar asgjë. Por sistematizimi duhet të jetë konform profesionit dhe përgatitjes profesionale. Më kanë treguar se tu ka ndërruar vendi i punës, unë vendim zyrtar nuk kam marrë”, u shpreh Jusuf Zimeri, drejtor i Sektorit për Çështje Fetaro Arsimore në BFI.

Nga të shkarkuarit e lartë përmendur, menjëherë është zëvendësuar drejtori i Medresesë “Isa Beu”, postin e të cilit tani e ushtron Islam Islami. Për emërimin e Islamit është bërë edhe njoftimi zyrtar në rrjetet sociale të Medresesë. Në njoftim potencohet vetëm emërimi dhe biografia e drejtori Islam Islami, por nuk është shënuar as edhe një fjali për drejtorin e deritanishëm. /Alsat.mk