Taravari prezanton prurje të reja në ASH
Tetovë, 21 Tetor – Paralajmërimet e U.D kryetarit të ASH-së Arben Taravarit për figura të reja në Aleancën për Shqiptarët kanë dhënë edhe rezultatet e para.
Sot, Taravari në profilin e tij ka njoftuar se kësaj forcë politike nga sot i është bashkangjitur një personalitet i respektuar nga Tetova.
Bëhet fjalë për profesorin Mislim Zendeli i cili është doktor i Shkencave të ekonomisë.
Ja edhe postimi i plotë i Taravarit:
“Mirë se vjen profesor, në familjen e madhe të Aleancës për Shqiptarët
Mislim Zendeli, doktor nga fusha e shkencave të ekonomisë, është ardhje e re e një flugtari në Aleancën për Shqiptarët. Ky është personalitet që me punën dhe angazhimin e tij ka bërë emër tashmë në Tetovë dhe në rrethinën e këtij qyteti me kaq rëndësi në gjeografinë e fragmentuar shqiptare.
Mislim Zendeli për opinionin dhe qytetarët njihet si pedagog i ndërgjegjshëm e i aftë, por edhe si sipërmarrës i suksesshëm. Ai është profesor i shkencave ekonomike në Universitetin e Tetovës dhe njëherazi sipërmarrës që teoritë e ekonomisë i ka zbatuar edhe në praktikë duke qenë i suksesshëm në sferën e biznesit. Ka marrë dhe merr pjesë në shumë aktivitete që u përkasin organizimeve që lidhen me përmirësimin dhe avancimin e jetës së qytetarit.
M. Zendeli ka qenë president i klubit rotarian të Tetovës, duke e përfaqësuar Tetovën dhe Maqedoninë në shumë evente në shkallë vendi dhe më gjerë. Gjithashtu, ai është autor i shumë punimeve shkencore dhe librave që ka shkruar në sferën e ekonomisë dhe hotelerisë.
Tani,në politikë, angazhimi i tij vjen me qëllimin dhe synimin që gjithë këtë përvojë jetësore dhe profesionale ta ndërlidhë me programin tonë politik të ngjeshur me qëllim realizimin e tij për të mirën e anëtarësisë pa e shkëputur këtë nga tendencat për realizimin e mirëqenies së përgjithshme në shkallë vendi”, ka shkruar Taravari.