Takim Zaev- Ahmeti në Kuvend

Shkup, 10 gusht 2020 (MEDIAL) – Në Kuvend pasditen e sotme është mbajtur takim mes kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe atij të BDI-së, Ali Ahmeti, si pjesë e negociatave për formimin e shumicës parlamentare dhe qeverisë.

Pasi Ahmeti sot dërgoi ftesë për takim të përbashkët me kryetarët e partive nga blloku politik shqiptar të enjten me rastin e përvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, Zaev në një deklaratë për TV24 këtë e ka vlerësuar si presion mbi të, LSDM-në dhe koalicionin “Mundemi”, por edhe ka theksuar se është herët të japë çfarëdo përgjigje nëse ai takim mund të ndikojë mbi formimin e shumicës së re parlamentare.

LSDM edhe sot përmes një komunikate për media bëri të ditur se vazhdon, siç thonë, “bisedimet serioze për formimin e shumicës së qëndrueshme parlamentare dhe koalicionit qeveritar me mandat të plotë katërvjeçar, të qëndrueshëm”. Qeveria e re, thonë ata, do të punojë për kujdes edhe më të madh për të gjithë, për të forcuar standardin ekonomik, për të pastruar gjyqësorin dhe për të siguruar shtet të fortë ligjor dhe sundimin e ligjit.

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 korrik, të martën e kaluar parlamenti i ri u konstituua dhe filloi afati 10-ditor për formimin e shumicës parlamentare, pas së cilës presidenti i shtetit duhet të japë mandatin për të formuar qeveri. Mandatari i caktuar, brenda 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, paraqet programin në Kuvend dhe propozon përbërjen e Qeverisë. fab/