Takim Pendarovski – Lamorxheze: Falënderim ndaj Italisë për mbështetjen e eurointegrimit të vendit

Shkup, 30 nëntor – Presidenti Stevo Pendarovski sot e priti ministren italiane të Punëve të Brendshme, Luçana Lamorxheze, e cila po qëndron në vend me rastin e takimit të 22-të të Komitetit të ministrave të Konventës për bashkëpunim policor në Evropën Juglindore.

Në takimin Pendarovski – Lamorxheze u shpreh kënaqësi nga marrëdhëniet e mira tradicionale dhe miqësore bilaterale, me dialog aktiv politik në nivel të lartë dhe më të lartë.

Presidenti Pendarovski e përshëndeti bashkëpunimin e shkëlqyeshëm mes dy ministrive të punëve të brendshme dhe shfaqi pritje për intensifikimin e tyre të mëtejmë përmes trajnimeve të përbashkëta, kurseve dhe këmbimit të përvojave, posaçërisht në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë, si dhe luftën kundër emigracionit ilegal.

Në kontekst të aspiratave të shtetit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, presidenti Pendarovski u falënderua për mbështetjen e fuqishme, të zëshme dhe të vazhdueshme nga Italia për procesin eurointegrues dhe shfaqi shpresë se përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të njihen në mënyrë adekuate me hapjen e negociatave inkuadruese për anëtarësim.

Presidenti Pendarovski shprehi falënderim për donacionin e paralajmëruar nga Italia të 256.000 dozave të vaksinës Fajzer/BioNTek përmes mekanizmit KOVAKS gjatë dhjetorit.