Taib Kabashi: Jam njeriu që punoj! Dëshmitari e tha të vërtetën 99 për qind 

Ish selektori i kombëtares së Kosovës në hendboll (meshkujt), Taib Kabashi, aktualisht kryetrajner i Prishtinës,  më në fund thyen heshtje dhe i përgjigjet edhe legjendës së hendbollit Aziz Makiqi.

“Atë që e ka thënë dëshmitari për gazetën ‘Bota sot’, janë 99 për qind të vërteta, që nga Gjakova, nga hotel ‘Adria’ në Prishtinë e deri të loja me Italinë. 

Ata çka ka deklaruar Aziz Makiqi, shoku im, bashkëlojtari im, miku im, bashkëvendasit im, nuk janë as një për qind e vërtetë. 

Të gjitha këto që i ka treguar dëshmitari, 99 për qind janë të sakta.

Dëshmitari e thotë shumë qartë, kur Alfred Llazari na informon ne lojtarëve dhe ne stafin në Gjakovë, se nuk do të jetë selektor dhe e ka përgatitur edhe dorëheqjen me shkrim. 

Unë edhe Nexhdet Dobroshi, e kemi lut, mos u ngut Llazar, mos u ngut Llazar, se e kemi lojën e fundit parakualifikuese për Kampionatin Botëror…

Me iniciativën time, të Dobroshit dhe të lojtarëve të kombëtares, kemi qenë të mendimit me u taku me presidentin e FHK-së, Saraçinin,  Izet Gjinovcin, me Shqipe Bajçincën, kanë qenë edhe disa anëtarë të bordit,  që të vjen Llazari edhe ta zhvillon lojën e fundit.

Takimi ka qenë në hotel ‘Adria’ mes stafit, lojtarëve dhe federatës. 
Fredi ka qenë kategorik për dorëheqjen por me iniciativën time, të Dobroshit dhe në bashkëpunim me Federatën, që e falënderoj, e  kemi bind Fredin me ardh me ne. 

Pas lojës me Italinë (në maj, viti 2015), presidentin Saraçini na ka falënderuar për punën që e kemi bë dhe atë në emër të federatës dhe në emrin e tij personal. Ndërkohë, Llazari e merr fjalën e nis me akuzu, domethënë lojtarin Enis Kabashin.

A, Enisi ka qenë lojtar i ndeshje, bile në të dyja ndeshje që e vërtetojnë edhe protokollet. 

Siç e përmendi edhe dëshmitari, i pari Llazari e ka akuzue Enisin.  Tani Enisi i thotë: ‘T’i nuk din kurrgjë për trajner, krejt Taib Kabashi të mëson, krejt ky ti tregon aksionet. Ti asnjë lojë se ke këqyrë të ligës së Kosovës”. 

E falënderoj nga zemra dëshmitarin që e tha 99 për qind të vërtetën edhe pse nuk e di se kush është ai dëshmitar.  
Nuk doja unë ta lejoja që Enisi t’i kundërvihet Llazarit, por disa kolegë afër meje me thanë? Leje djalin, se ia përmendi emrin! 

Nuk doja që ta lejoja që të ketë përçarje mes selektorit e lojtarëve. Pas kësaj kemi shku e pi kafe. Siç e thotë edhe dëshmitari, e që falënderoj. Nuk ka pas kurrfarë sulmi, as përleshje, asgjë personale,  normalisht analizë profesionale. Kemi vazhduar rrugën, jemi kthye në shtëpi. Jam njeriu që punoj! Dëshmitari e tha të vërtetën 100 për qind”, tha Kabashi për gazetën kombëtare “Bota sot”.