Tahiri: Do të vazhdoj të jem afër komunave

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri ka njoftuar se sot ka filluar vizitat konsultative nëpër komuna. Vizitën e parë ai e ka bërë në komunën e Hanit të Elezit, ku është pritur nga kryetari Rufki Suma.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Tahiri ka thënë se qëllimi i kësaj vizite është ndërtimi i një agjende të përbashkët bashkëpunuese, për të çuar përpara projektet e rëndësishme që kanë relacion me nivelin qendror.

“Gjatë takimit, theksova se ky është një fillim i mirë i zhvillimit të një konsulte të vazhdueshme, pasi që kryetarët e komunave janë në komunikim direkt me qytetarët të cilët presin prej tyre shërbime më cilësore dhe efikase, ndërsa vetëm me punë dhe politika zhvillimore mund të ecim para, duke shprehur përkushtimin tonë që të jemi afër qytetarëve”, ka shkruar Tahiri.