Sveçla fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe sërish i bën thirrje autorit të krimit në Gllogjan që të dorëzohet

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla edhe një herë i ka bërë thirrje autorit të krimit në Gllogjan që të dorëzohet, derisa thirrje për dorëzim u ka bërë edhe bashkëpunëtorëve të mundshëm. Njëkohësisht ai ka kërkuar nga qytetarët, që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, të bashkëpunojnë me institucionet relevante.

Sveçla ka shkruar në Facebook se janë të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar.

“Të gjithë bashkërisht jemi të tronditur për vrasjen makabre që ndodhi mbrëmë në Gllogjan, me ç’rast mbetën të vdekur tre qytetarë tanë. Jam i vetëdijshëm për ankthin që e përjetoni të gjithë, e veçanërisht familjet e viktimave, që presin me padurim kapjen e vrasësit dhe vendosjen e drejtësisë”, ka shkruar Sveçla.

“Si në konferencë për media, ashtu edhe këtu, i bëj thirrje dorasit të krimit që të dorëzohet”.

“Nëse ka pasur bashkëpunëtorë, u bëj thirrje po ashtu të lajmërojnë e të dorëzohen në Polici. Në të kundërtën, kushdo që ndihmon vrasësin, bëhet bashkëkryes i veprës. Qytetarëve që mund të kenë çfarëdo informate në shërbim të rastit, iu lutem të bashkëpunojnë me institucionet relevante, të cilat, nga mbrëmë, janë mobilizuar si asnjëherë më parë në zbardhjen sa më të shpejtë të rastit dhe kapjen e dorasit apo dorasve”.

Në fund Sveçla ka thënë se “jemi të përkushtuar maksimalisht që të zbardhim këtë rast të rëndë, në mënyrë që sadopak t’ua lehtësojmë familjarëve dhimbjen dhe ankthin e përjetuar”.