Stano: Çfarë më tej në procesin e BE-së me RMV-në, do të vendosin vendet anëtare

Shkup, 27 tetor – Në brifingun e sotëm të rregullt për gazetarë, zëdhënësi për Punë të Jashtme, Peter Stano, tha se për hapat e ardhshëm në procesin e BE-së me Maqedoninë e Veriut do të vendosin vendet-anëtare, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Zëdhënës përkujtoi në deklaratën e djeshme të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, dje se “Maqedonia e Veriut meriton të ecë përpara” dhe të përparojë sa më shpejt.

“Por përcaktimi i hapit të ardhshëm u takon vendeve-anëtare”, tha Stano.

Maqedonia e Veriut mori hapje të kushtëzuar të kapitujve të negociatave dhe konferencën e parë ndërqeveritare, kushti është ndryshimi i Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve në të. Ndërkohë, vendi fitoi një konferencë ndërqeveritare “politike”, ndërsa duhet edhe të përfundojë procesi i skriningut para se t’i hapë kapitujt dhe klasterët e procesit të negociatave.

Lidhur me marrëveshjen me Fronteksin të nënshkruar dje në Shkup, zëdhënësja për Punë të Brendshme, Anita Hoper, sot shpjegoi se kjo do të mundësojë që të vendosen ekipet e kësaj agjencie të BE-së, qëllimi i të cilave është monitorimi i kufijve të jashtëm të Unionit.

Me vendosjen e Fronteksit në kufijtë e Maqedonisë së Veriut, BE-ja do të bashkëpunojë me policinë e Maqedonisë së Veriut në menaxhimin e kufijve, do të mund të merret me regjistrimin, kontrollet e kufijve, operacionet e përbashkëta për luftë kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar dhe të shkëmbejë informacione me Maqedoninë e Veriut.

Të dyja palët duhet të përpunojnë një plan operacional specifik për Maqedoninë e Veriut me të cilin do t’u përgjigjet nevojave të vendit dhe të BE-së.