Tuchel e cilëson lojtar fantastik Lukakun

Thomas Tuchel ka refuzuar të komentojë situatën e sulmuesit Romelu Lukaku, i cili thuhet se do të transferohet nga Interi te Chelsea.

Spekulimet rreth ardhjes së mundshme të Lukakut nga Interi janë intensifikuar ditëve të fundit.

Belgu është i prirur për një rikthim në Stamford Bridge dhe Interi është i gatshëm të shesë lojtarin për shkak të problemeve financiare të shkaktuara nga Covid-19.

Por, tani i takon Chelseat të përmbushë kërkesat e tyre të cilat peshojnë hiç më pak se 130 milionë euro, pasi një ofertë me 100 milionë euro plus Marcos Alonso u refuzua nga klubi italian.

Për situatën e Lukakut është pyetur edhe trajneri i Bluve, Tuchel, pas barazimit 2-2 të së mërkurës ndaj Tottenham Hotspur, por trajneri gjerman ka refuzuar të komentoj situatën.

“Unë nuk do të flas për lojtarët që nuk luajnë në skuadrën time”, ka thënë fillimisht Tuchel.

“Ai është një lojtar fantastik, por një lojtar i Interit dhe me gjithë respektin e duhur nuk do të flas për të”.

“Jo të gjithë, por unë mund të imagjinoj se shumë lojtarë duan të vijnë dhe të bashkohen me Chelsean, por ne nuk e komentojmë këtë!”, përfundoi gjermani.