Declan Rice vrapon gjithë fushën për të shënuar një gol të mrekullueshëm

Mesfushori i West Hamit, Declan Rice shënoi një gol të vërtetë madhështor individual në ndeshjen e grupeve të Ligës së Evropës kundër Dinamo Zagrebit të enjten mbrëma.

Klubi anglez mori një fitore të madhe me rezultat 2-0 në ‘Maksimir Stadium’ ndaj Dinamos në kuadër të Grupit H.

Golat në këtë fitore të Çekanëve u shënuan nga Michail Antonio (22’) dhe Declan Rice (50’).

Megjithatë, goli i dytë i londinezëve i shënuar nga kapiteni Rice po komentohet më shumë dhe është bërë viral në rrjetet sociale.

22-vjeçari anglez shënoi një gol të bukur individual, duke marrë topin më larg se gjysma e fushës dhe duke depërtuar me hapa gjigant.

Ai tregoi forcën e tij duke e rrëzuar Bruno Petkovicin dhe u sul drejt portës para se të godiste topin nën këmbët e portierit Dominik Livakovic.

Një gol të ngjashëm e shënoi edhe shoku i tij te kombëtarja angleze, Jack Grealish, në fitoren 6-3 të Manchester Cityt ndaj RB Leipzig të mërkurën.

Ndryshe, Rice ka qenë shumë i kërkuar gjatë verës, por West Ham vazhdon të kërkoj së paku 100 milionë funte për shërbimet e tij.