Spasovski: Për momentin nuk ka shkelje të sigurisë në rajon

Shkup, 4 maj – Për momentin, të dy vlerësuam, se nuk kemi asnjë indikacion për shkelje të sigurisë në vend dhe as në rajon, por duhet të jemi vigjilentë dhe seriozë në pengimin e çdo tentative për cenim të sigurisë, deklaroi për MIA-n, Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski pas takimit me Ministrin e Mbrojtjes Civile të Greqisë, Takis Theodorikakos, duke shtuar se janë pajtuar që në baza ditore të shkëmbehen të dhëna dhe informacione “të cilat mund të ndihmojnë të ruajmë stabilitetin dhe paqen”.

Ministri Spasovski është për një vizitë pune dyditore në Athinë dhe me ftesë të ministrit grek sot do të marrë pjesë në Konferencën Ministrore të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në periudhën 2021-2022, në kuadër të Presidencës greke.

Menjëherë pas takimit të mbrëmshëm me Theodorikakos, në bisedën e zhvilluar me korrespondentenn e MIA-s nga Athina, Spasovski tha se ministri grek ka trajtuar një sërë temash, duke përfshirë thellimin e bashkëpunimit dypalësh në çështjet e sigurisë, migrimin, agresionin rus kundër Ukrainës, si dhe ka zbuluar se Maqedonia e Veriut dhe Greqia është në procesin e përmbylljes së dy marrëveshjeve, por edhe se nesër në Shkup do të mbahet takimi i drejtorëve të policisë nga i gjithë rajoni.

“Biseduam edhe për ngritjen e nivelit të bashkëpunimit të ndërsjellë sepse Marrëveshja e Prespës hapi kapituj të rinj në bashkëpunimin reciprok dhe besojmë se siguria është tema më e rëndësishme nëse duam të kemi një avancim të mirë në ekonomi dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira”, tha Spasovski për takimin me Theodorikakos.

U diskutua edhe për dy marrëveshje dypalëshe që janë në proces të përfundimit, njëra për luftën kundër krimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe e dyta është Marrëveshja e Riatdhetësimit.

Ministri shpjegoi se aktualisht marrëveshjet janë në fazën e harmonizimit dhe menjëherë pas harmonizimit do të mund të nënshkruhen.

Ai theksoi se niveli operacional i funksionimit të të dy forcave policore është jashtëzakonisht i rëndësishëm “nëse duam të rrisim sigurinë në të dy vendet dhe të ndikojmë në sigurinë rajonale”.

“Të enjten do të bëjmë një mbledhje, një takim me drejtorët e policisë nga i gjithë rajoni dhe do të jetë i pranishëm edhe drejtori i policisë greke. Kjo është një mundësi e mirë për t’u dakorduar gjërat në nivel operativ”, tha ministri Spasovski.

Është e rëndësishme të ruhet paqja, stabiliteti dhe siguria e Maqedonisë së Veriut

Të dy ministrat diskutuan edhe për situatën e re me agresionin rus ndaj Ukrainës, “mbështetjen e Ukrainës dhe popullit ukrainas dhe sigurisht bashkëpunimin mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë për të ruajtur sigurinë e të dy vendeve dhe sigurinë e qytetarëve”, si dhe ndihmën e ofruar nga të dyja vendet për shtetasit ukrainas që largohen nga Ukraina.

“Për ne është shumë e rëndësishme të ruajmë paqen, stabilitetin, sigurinë e Maqedonisë së Veriut, të qytetarëve tanë. E theksova këtë para kolegut tim. Ne si shtet po marrim të gjitha masat që duhen marrë në këtë fushë. Të gjitha shërbimet e sigurisë po punojnë me përkushtim maksimal për të mos lejuar asnjë shkelje të qetësisë dhe sigurisë. Për momentin, ne të dy vlerësojmë se nuk kemi asnjë indikacion për shkelje të sigurisë as në vende e as në rajon, por duhet të jemi vigjilentë dhe seriozë në pengimin e çdo përpjekjeje për të cenuar sigurinë. Pra, të gjitha shërbimet në sektorin e sigurisë, si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Greqi, do të punojnë me përkushtim maksimal. U pajtuam që të shkëmbejmë të dhëna dhe informacione në baza ditore, të cilat së bashku mund të na ndihmojnë të ruajmë stabilitetin dhe paqen”, thekson Spasovski.

Bashkëpunimi rajonal është veçanërisht i rëndësishëm nën dritën e krizës në Ukrainë

Ministri Spasovski tha se, nën dritën e krizës së Ukrainës, bashkëpunimi rajonal është shumë i rëndësishëm, duke shtuar se vendet anëtare të NATO-s ndajnë të njëjtat vlera dhe politika për këtë çështje dhe këtu nuk kemi dyshim se do t’i zbatojmë të gjitha ato politika të përbashkëta të Aleancës së NATO-s dhe në kuadër të këtij bashkëpunimi është forcimi i bashkëpunimit dhe shkëmbimi i të dhënave dhe informacionit me Republikën e Greqisë”.

Në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimit të tij është edhe Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, i cili tani kryesohet nga Greqia dhe më pas presidencën do ta marrë Mali i Zi.

Spasovski theksoi se “bashkëpunimi është i rëndësishëm para së gjithash, në disa segmente, për bashkëpunim të mirë ndërmjet të gjitha vendeve të kësaj nisme, veçanërisht në krimin e organizuar, trafikun e drogës dhe armëve, migrimin ilegal, terrorizmin”.

Ai shtoi se këto janë temat për të cilat duhet të merren masa të përbashkëta të mbrojtes “si qytetarët tanë ashtu edhe i gjithë rajoni”.

“Megjithatë, ai bashkëpunim në fushën e sigurisë duhet të fillojë nga niveli rajonal. Sepse nëse doni të jeni efektiv në luftën kundër krimit transnacional, nëse doni të jeni efektiv në luftën kundër migracionit të paligjshëm, terrorizmit etj., është jashtëzakonisht e rëndësishme të keni një shkëmbim të shpejtë informacioni, të dhënash. Pikërisht këto iniciativa krijojnë mundësi përmes marrëveshjeve të përbashkëta, si dhe mënyrave për të krijuar kanale për shkëmbim të të dhënave dhe informacioneve”, tha ministri, duke shtuar se Maqedonia e Veriut që nga fillimi e ka përkrahur plotësisht këtë iniciativë.

Reduktim i ndjeshëm i tentativave për hyrje të paligjshme në Maqedoninë e Veriut

Spasovski dhe Teodorikakos kanë biseduar edhe për migracionin, për të cilin, sipas ministrit, dy vendet kanë pasur bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë në gati shtatë vitet e fundit, me një shkëmbim të mirë të informatave në baza ditore.

Ata konstatuan se ka një pozicionim të mirë në kufirin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë dhe ka zvogëlim të numrit të emigrantëve që tentojnë të hyjnë ilegalisht në territorin e vendit tonë.

“Sigurisht, ai pozicionim i mirë i policisë maqedonase ka kontribuar që Republika e Maqedonisë së Veriut të mos jetë një vend tërheqës për kalimin e emigrantëve nëpër vendin tonë. Është rritur edhe efikasiteti në pjesën e zbulimit të kontrabandës me migrantë dhe dukshëm deri në fund të vitit 2021 kemi një reduktim prej rreth 35 për qind të tentativave për të kaluar kufirin dhe 33 për qind të kontrabandimit me migrantë”, tha Spasovski.

Nën Presidencën Greke të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) do të mbahet sot në Athinë, Konferenca Ministrore, në të cilën do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit për çështjet e sigurisë, lufta kundër krimit të organizuar, migrimi ilegal dhe situata në Ukrainë.

Pak para fillimit të takimit, ministri Spasovski në bisedë me korrespondentin e MIA-s nga Athina tha se pret një diskutim të frytshëm për mënyrat dhe metodat se si të përmirësohet bashkëpunimi në nivel rajonal.