Spasovski nga Kumanova: Vendimi që të vazhdojmë në rrugën e drejtë nënkupton siguri për qytetarët

Kumanovë, 24 qershor 2020 (MEDIAL) – Bartësi i listës së Njësisë Zgjedhore 2, nga LSDM-ja, Oliver Spasovski në deklaratën e sotme para medieve në Kumanovë bëri thirrje që të udhëhiqet fushatë e sigurt nga aspekti shëndetësor dhe fushatë korrekte dhe demokratike për zgjedhje korrekte dhe demokratike.

Ai i porositi qytetarët se do të vazhdojnë në rrugën të cilën tashmë e kanë zgjedhur, e cila sjell të ardhme të sigurt, e tregon kujdesin për të gjithë, siguron rritje të shpejtë të pagave, rifillim të shpejtë dhe transformim të ekonomisë. Spasovski theksoi se do të vazhdojë me investimet në shëndetin publik dhe përballjen me sfidat të cilat i sjell virusi korona, investimet në mjedis të pastër jetësor, por edhe pastrimin e gjyqësorit, prej siç theksoi, gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar.

Janë vendosur themelet e shtetit të së drejtës, shtoi Spasovski, që të sigurohen edhe integrimet evropiane – pas anëtarësimit në NATO, nevojitet që të vazhdohet në rrugën të cilën bashkë e kanë zgjedhur.

“Vendimi që të vazhdojmë në rrugën e drejtë nënkupton dëshmi, siguri për qytetarët dhe shtetin dhe jo për Mickovskin dhe VMRO-DPMNE-në, të cilët është dëshmuar se janë rrezik për shtetin dhe qytetarët. VMRO-DPMNE-ja në krye me Mickovskin vazhdon me sjelljen e papërgjegjshme, ata gënjejnë, përhapin panik, keqpërdorin institucione për qëllimet partiake”, tha Spasovski.

Ai shtoi se vazhdimi në rrugën e drejtë, nënkupton që asnjëherë më regjim, vjedhje të parave të popullit për mbushjen e xhepave të disa individëve, ndasi të popullatës, kohë të errëta në të cilat shkelet dinjiteti i njerëzve, izolimi ndërkombëtar, dëmtim i rrezikshëm i sistemit shëndetësor.

“Ne e përgatitëm sistemin shëndetësor që të përballet me sfidat nga virusi korona, në kushte të krizës botërore shëndetësore-ekonomike i shpëtuam qytetarët dhe shtetin nga skenarët më të errët, u kujdesëm që të ruhet secili vend i mundshëm i punës, secili biznes i mundshëm, askush të mos mbet pa ekzistencë dhe si në kohën kur zgjidhnim çështje strategjike dhe arritëm që ta ngremë ekonominë, vazhdojmë me zgjidhje dhe iniciativa. Jemi në rrugë të drejtë dhe mundemi edhe më shumë dhe më mirë”, tha Spasovski.

Kumanova shtoi ai, gjithmonë ishte kryesuese e fitoreve të reja, këtë e konfirmon historia dhe në kthesat zgjedhore dhe kështu do të jetë edhe në këto zgjedhje. fc/