Skriningu me BE-në a do të pastrojë punësimet partiake?

Shkup, 3 shkurt – Punësimet partiake janë fenomeni më i njohur në Maqedoninë e Veriut, madje duke u shndërruar në diçka shumë normale që pa librezë partiake punësimin mund vetëm ta ëndërrosh. E kjo pastaj ka sjellë vendin në këtë gjendje që po rrezikon të bëhet i pabanueshëm sepse secili i ri dhe e re jetën e tyre po e planifikojmë jashtë kufijve të shtetit, që nuk njeh kufij të normalitetit. Punësimet partiake janë dukuria më negative e shoqërisë dhe prodhimit të produktivitetit sepse me anë të punësimeve partiake eliminohen kriteret e punësimit. Punësimi pa kritere është punësim për të marrë një pagë dhe pa bë asnjë punë. Tani që Maqedonia e Veriut është në periudhën që pret datën për fillim të negociatave me BE-në, rikthehen shpresat që skriningu me BE-në do të ndikojë që të pastrojë punësimet partiake. Dhe, ky fenomen mos të vazhdojë të përsëritet sepse sjellë pasoja të pariparueshme, punësimet duhet të bëhen në bazë të kritereve dhe meritokracisë, shkruan Zhurnal.

Ivanovska: Skriningu me BE-në do të pastrojë punësimet partiake-

Kryetarja e Komisionit Kundër Korrupsionit, Biljana Ivanovska, u shpreh optimiste se skriningu me BE-në do të pengojë punësimet partiake në institucione.

“Skriningu me BE-në do të pastrojë punësimet partiake në administratë dhe do të shkojë sipas kualifikimeve. Ai sistem do t’i parandalojë ato punësime partiake. Nga atje do të thonë që nuk mund të bëhet kështu. Nëse duam të jemi në shoqërinë e vendeve ku funksionon shteti i së drejtës, duhet edhe t’i harmonizojmë ato. Konkurrencë e ndershme, përzgjedhje e njerëzve cilësorë që do të udhëheqin institucionet”, tha Ivanovska.

Pra, Maqedonia e Veriut krahas problematikave tjera që ka për sa i përket shtetit të së drejtës, sundimit të ligjit, njëra ndër shqetësimet tjera është edhe fakti që administrata shtetërore është e mbingarkuar me të punësuar, që një pjesë e tyre nuk i kanë as kualifikimet e duhura.

Prandaj, është e domosdoshme që administrata shtetërore të pastrohet nga të punësuarit partiak që janë aty për të marrë një pagë e në shkëmbim të kësaj nuk bëjnë gjë tjetër pos që kalojnë kohën kot dhe nuk janë të gatshëm të avancohen e as të kryejnë punën për të cilën janë të ngarkuar.

Bashkimi Evropian nuk pranon dot shtete që nuk janë të gatshme të harmonizojnë ligjet e tyre me ato të BE-së, prandaj do të jetë rrugë e gjatë e anëtarësimit e aq më e gjatë e përmirësimit dhe çrrënjosjes së asaj praktike që ka shkërmoq shoqërinë duke vendos kriter të punësimit partizimin.

Nuk është vetëm administrata publike apo shtetërore në të cilën ka të punësuar partiak, edhe institucionet tjera nuk qëndrojnë sidomos ato arsimore e shëndetësore. Dhe, kjo praktikë ka shkatërruar secilin sektor ku është përdorur, sepse institucionet e arsimore të partizuara prodhojnë politikanë të paarsimuar, si dhe institucionet shëndetësore të partizuara prodhojnë përkujdesje katastrofale shëndetësore.

Dhe, kur mblidhen gjithë këto pasoja që prodhojnë punësimet partiake nënkuptohet që nuk është e rastësishme kërkesa e BE-së që të marrin fund këto punësime pa kritere njëherë e përgjithmonë, dhe të vazhdohet me normalizim dhe rikthim të shpresës se punësimet bëhen në bazë të kualifikimeve dhe meritokracisë.

Çfarë është skriningu?

Skriningu është rishikim analitik i përafrimit të legjislacionit të vendit kandidat me Acquis communautaire-in (legjislacionin) e BE-së dhe përfaqëson hapin fillestar në negociatat e anëtarësimit, në të cilin jepet vlerësimi i përafrimit të legjislacionit në çdo kapitull individual. Qëllimi i këtij procesi është të përcaktojë dallimet ekzistuese ndërmjet legjislacionit të BE-së dhe legjislacionit të vendit kandidat.

Në procesin e shqyrtimit, përfaqësuesit e Komisionit Evropian (KE), përkatësisht përfaqësuesit e drejtorive të përgjithshme kompetente, marrin pjesë në emër të BE-së, ndërsa anëtarët e grupeve të punës për përgatitjen e negociatave sipas kapitujve individualë të negociatave dhe përfaqësuesit e autoriteteve të administratës publike dhe organet marrin pjesë në emër të vendit kandidat, pra Maqedonisë së Veriut.

Skriningu kryhet veçmas për çdo kapitull negocimi, por mund të kryhet për disa kapituj njëkohësisht. Kohëzgjatja e tij sipas kapitullit varet nga shtrirja dhe sasia e acquis-it në kapitullin e dhënë, dhe mund të zgjasë nga një deri në disa ditë, ndërsa e gjithë procedura e shqyrtimit zgjat përafërsisht një vit.

Fakti që po tentohet që nëpërmjet skriningut të pastrohen punësimet partiake, nënkupton që veçse institucionet tona janë të mbushura me këtë mënyrë të të punësuarve, dhe tani me të vërtet mund edhe të pastrohen mbase jo tërësisht por të paktën mos të vazhdohet më me këtë sistem shkatërrues të kualitetit.

Megjithatë, ka shpresa dhe pritet që nëpërmjet skringut të ndodhë kjo gjë, të pastrohen dhe të ndalohet më me punësimet partiake, progresi brenda shtetit mund të arrihet vetëm nëse në krye të detyrave janë të vendosur personat kompetent e përgjegjës që janë të kualifikuar në fushat që përshtaten me vendet e tyre të punës. /Zhurnal.mk