Sistemi i sigurisë dhe inteligjencës i përshtatur me standardet e BE-së dhe të NATO-s

Shkup, 20 tetor – Reformat në sistemin e sigurisë dhe inteligjencës në përgjithësi janë bërë, sistemi funksionon, megjithatë nevojiten përmirësime, veçanërisht në fushën e mbikëqyrjes së punës së shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës, si dhe në lidhje me ndarjen fizike nga MPB-ja e Agjencisë për siguri kombëtare. Për të përmirësuar mbikëqyrjen, para së gjithash, me përfshirjen e sektorit civil nevojiten ndryshime ligjore, janë dakord si qeveria ashtu edhe opozita dhe besojnë se duhet një ndryshim më thelbësor, jo vetëm e një anëtari të Këshillit. për mbikëqyrjen civile, por miratim i një ligji të veçantë për mbikëqyrje të shërbimeve, me të cilat do të rriten ingerencat e atyre që e kryejnë mbikëqyrjen.

Këto ishin disa nga pikat e konferencës vjetore në kuadër të programit për reformat në sektorin e inteligjencës dhe të sigurisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut (2021-2026), e cila u mbajt dje në Shkup, në organizim të Qendrës së Gjenevës për menaxhimim me sektorin e sigurisë (DCAF).

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në fjalën e tij ndër të tjera theksoi se në fushën e sigurisë janë bërë ndryshime ligjore në drejtim të procesit të reformës, të cilat janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe NATO, me të cilin venbdosen disa norma dhe standarde ligjore për Kuvendin dhe për të gjitha institucionet. Ai shprehu gjithashtu besimin se masat e marra dhe aktivitetet e ndërmarra në përputhje me ndryshimet ligjore do të sigurojnë një nivel më të lartë të llogaridhënies për të gjithë të interesuarit.

“Qeverisja dhe mbikëqyrja demokratike është përgjegjësi e të gjitha segmenteve të shoqërisë dhe e gjithë aparatit shtetëror. Të gjithë duhet të japin maksimumin në punën e tyre, duke iu qasur çdo çështjeje të pazgjidhur me synimin e sinqertë për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme që jo vetëm do t’i shërbejë faktorit politik në pushtet, por do të pranohet dhe respektohet përgjithësisht njëlloj nga të gjithë. Që të jetë kështu, sigurisht që zgjidhja duhet të konsiderohet gjithëpërfshirëse, me pjesëmarrjen e të gjitha subjekteve politike dhe zgjidhja përfundimtare duhet të jetë një zgjidhje konsensuale në përputhje me normat evropiane. Kjo sigurisht që do të imponohet si obligim me hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe klasterin e parë negociator, gjegjësisht Fundamente”, tha Xhaferi.

Sa i përket zbatimit të vendimeve të miratuara ligjore, testi më i mirë i cilësisë së çdo ligji është zbatimi i tij në terren, sepse vetëm atëherë, thotë ai, vërehen zbrazëtirat apo papërcaktueshmëritë që janë zgjidhur në mënyrë joadekuate. “Zbatimi i plotë i legjislacionit është i rëndësishëm. Ligji për monitorimin e komunikimeve është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kuvendin, veçanërisht për pjesën e mbikëqyrjes parlamentare, ekspertët teknikë dhe Këshillin për mbikëqyrje civile, i cili ende nuk është aktiv pikërisht për shkak të paqartësisë së zgjidhjes ligjore”, theksoi kryeparlamentari Xhaferi.

Sipas ambasadorit evropian Dejvid Gir, reformat në sektorin e sigurisë dhe inteligjencës nuk kanë përfunduar dhe procesi i integrimit në BE, i cili tani po merr vrull pas hapjes së negociatave dhe sjell kërkesa shtesë në lidhje me mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. duhet të përdoret për të lëvizur reformat. Në këtë mënyrë, shton ai, do të mundësohet qeverisja e mirë dhe besimi i publikut tek institucionet e këtij sektori shumë të ndjeshëm, por edhe në sektorët e tjerë. Nevojiten përpjekje dhe vullnet shtesë nga ana e Qeverisë, Parlamentit dhe partive politike dhe palëve të tjera të interesit, jo vetëm për shkak të procesit të negociatave me BE-në, por mbi të gjitha për interesat e qytetarëve.

“Mbikëqyrja dhe kontrolli i shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës dhe reformimi i tyre është një çështje komplekse, por është një proces shumë i rëndësishëm. Parlamenti ishte një partner i përkushtuar në këtë proces. Presim që legjislacioni ekzistues i monitorimit të ndryshohet, në mënyrë që komisionet mbikëqyrëse në Kuvend të funksionojnë më mirë dhe Këshilli mbikëqyrës qytetar të jetë plotësisht funksional. Krijimi i një “dhome të sigurt” duhet të ndodhë pa vonesë të mëtejshme, theksoi Gir.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, theksoi se janë bërë reforma të suksesshme të sistemit të sigurisë dhe funksionon me sukses sistemi i ndjekjes së komunikimeve dhe të shërbimit të sigurisë, por kjo nuk mjafton dhe reformat duhet të vazhdojnë edhe më tutje.

“Të vihet theksi në fillimin e funksionimit të mbikëqyrjes civile, por u çelën edhe gjëra të tjera që prekin në punën e agjencisë, gjë që nuk është qëllimi i kësaj zgjidhjeje ligjore. Konsideroj se ne këtë nuk guxojmë t’ia lejojmë vetes për arsye se është ecje mbrapa”, deklaroi Spasovski.

Sipas ministres së Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska përveç mbikëqyrjes së këtij shërbimi duhet të hapet edhe një çështje tjetër, për të cilën, siç u shpreh ajo, si ministre është e gatshme që të heqë dorë nga e drejta e saj diskrete, e ky është emërimi i udhëheqësit të këtij shërbimi.

“Në Ministrinë në kuadër të ligjeve themelore kuptohet se janë përcaktuar disa rregulla që unë nuk i konsideroj të mjaftueshme. Për arsye se nëse duam ta arrijmë atë që ishte thelbi i fillimit të kësaj reforme, ai është ulja e ndikimit politik mbi punën e këtyre shërbimeve, në rast të tillë konsideroj se edhe në këtë segment duhet doemos të merret parasysh. Kështu që, kjo le të jetë duke marrë parasysh faktin se nga kjo anë e sallës shohim njerëz që i çmoj dhe respektoj jashtëzakonisht për punën që e kanë bërë në pjesën e bashkësisë së sigurisë dhe kundërzbulimit, kuptohet edhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rëndësia e të cilës do të jetë gjithsesi e mirëseardhur”, theksoi Petrovska.

Kryetari i Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e punës së ASK-së dhe AI-së, Lupço Prenxhov, para të pranishmëve theksoi se në raportin e KE-së është vlerësuar se ka përmirësim në raport me vitet paraprake, por shtoi se sistemi i sigurisë dhe zbulimit në shtet ka karakteristika unikate në raport me nevojën e metodave specifike që prekin në privatësinë dhe në të drejtat themelore të njeriut.

Për shkak të kësaj këto shërbime duhet të mbajnë llogari për transparencën, ligjshmërinë, përgjegjësinë dhe pjesëmarrjen e opinionit, por theksoi se në mënyrë që mbikëqyrja parlamentare të jetë efektive, duhet të ketë mundësinë për qasje deri te informacionet relevante dhe biseda të pandërprera me personat përgjegjës në shërbimet e inteligjencës. Saktësim të termit sekret shtetëror, kërkoi Prenxhovi, duke theksuar se nuk mundet 95 për qind të gjërave, të klasifikohen si sekret shtetëror, e në to “të mos ketë mish”.

“Nuk duhet të lëvdohemi se kemi pasur mbikëqyrje për shkak të mbikëqyrjes, sa për ta thënë ose shënuar atë diku. Ky është sektor që në 30 vitet e kaluara dy herë dështoi në skenë të hapur, kjo kishte pasoja serioze dhe e rrënoi imazhin e shtetit. Duhet të kuptojmë se në këtë shtet janë qytetarët ata, që i paguajnë bartësit e posteve publike, pa marrë parasysh në cilin institucion, ndërsa transparenca, pjesëmarrja e opinionit dhe qeverisja e mirë duhet të vlejë edhe për atë që janë persona përgjegjës në sektorin e sigurisë dhe zbulimit”, tha Prenxhovi.

Theksoi se mbikëqyrja ka qasje të ndryshme ndaj ASK-së dhe AI-së, duke marrë parasysh dallimet në aktivitetet e dy agjencive dhe e theksoi si pozitive atë që për dallim nga mandatet e mëparshme, e gjithë ajo për çka është biseduar me ta, asgjë nuk ka dalë në media, përveç kumtesave zyrtare.

Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski theksoi lidhur me mbikëqyrjen e punës së ASK-së në këtë periudhë trevjeçare kanë pasur 15 takime me dy komisionet që është më shumë sesa të gjitha mandatet paraprake.

“Dua të theksoj transparencën tonë të plotë ndaj kontrollit. Tjetër është çështja nëse në punën e komisioneve për mbikëqyrje ka problem në punën. Nga ana jonë nuk ka kurrfarë problemesh”, deklaroi Dimovski.

Drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Erolld Musliu, përkujtoi se ata si Agjenci janë të hapur për mbikëqyrje dhe kontroll në kuadër të kufizimeve ligjore, duke marrë parasysh specifikën e punës së AI-së.

“Kemi qenë në dispozicion, japim përgjigje, kemi pasur brifingje të sigurisë. Ne si Agjenci e zbulimit jemi të hapur për mbikëqyrje dhe kontroll në kuadër të kufizimeve ligjore, duke marrë parasysh zbulimin jashtë shtetit dhe kemi limite pa marrë parasysh që anëtarët e Komisionit kanë certifikata të sigurisë, nuk mund të shkojmë më thellë”, shtoi ai.