S’ishin parë që prej arrestimit, Nasim Haradinaj flet në “Zoom” me familjen e tij

Gjejlone Haradinaj, gruaja e Nasim Haradinajt në një përgjigje për Express ka thënë se sot për herë të parë që nga 25 shtatori do të zhvillojnë një bisedë telefonike me Nasim Haradinajn përmes aplikacionit ‘Zoom’.

Ajo tha se për shkak të pandemisë COVID-19 nuk iu është lejuar vizita, përveç disa bisedave të shkurtra telefonike me të.

“Sot në ora 15:00 e kam një bisedë për herë të parë përmes Zoom, se për hirë të pandemisë s’kemi vizita”, tha gruaja e Nasimit, e cila tha se për t’iu lejuar kjo bisedë, është dashur të bëjë kërkesë një javë më parë, duke ia bashkangjitur edhe shumë dokumente.

Po ashtu, gruaja e tij për Express tregoi se gjendja shëndetësore e Nasim Haradinajt është e mirë dhe se trajtimi i tij në Hagë është i mirë.

“Mirë po thotë se nuk kemi mujt me bisedu shumë”, tha Gjejlone Haradinaj.

Më 29 shtator ka përfunduar në Hagë seanca e parë dëgjimore ndaj nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj. Gjatë paraqitjes së tij, Haradinaj tha se nuk e njeh Gjykatën Speciale.

Madje avokati i Haradinajt tha se kjo gjykatë nuk ka juridiksion për akuzat ndaj klientit të tij, pasi sipas tij, ky tribunal është vetëm për krimet e luftës dhe jo për akuzat që po akuzohet Haradinaj.