Shtyhet afati i aplikimeve për grantet dedikuar ndërmarrjeve ekzistuese dhe atyre Start-Up

Problemet teknike me ueb-faqen zyrtare e kanë shtyrë Komunën e Prizrenit që ta shtyjë afatin e aplikimeve për grantet dedikuar ndërmarrjeve ekzistuese dhe atyre të reja deri më 20 qershor. Në arsyetimin e kësaj shtyrjeje, Komuna ka bërë të ditur se dëshiron që të ofrojë mundësi të barabarta për të gjithë aplikuesit.

“Afati për aplikim në skemën e granteve ‘Mbështetja e ndërmarrjeve ekzistuese dhe Start-Up në komunën e Prizrenit’ është shtyrë për shkak të problemeve teknike me ueb-faqen zyrtare të Komunës së Prizrenit. Kjo shtyrje është bërë me qëllim të ofrimit të mundësisë së barabartë për të gjithë aplikantët dhe për të siguruar një pjesëmarrje sa më të gjerë. Afati i ri për dorëzimin e aplikacioneve është deri më datë 20 qershor 2024. Kjo shtyrje do t’ju mundësojë kohë shtesë për përgatitjen dhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.

Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me Agjencinë për Zhvillim Rajonal Jug, me lansimin e skemës së granteve për përkrahjen e ndërmarrjeve ekzistuese dhe atyre Start-Up synon stimulimin e  hapjes së bizneseve të reja, si dhe zgjerimin dhe diversifikimin e atyre ekzistuese, në mënyrë që të krijohen vende të reja të punës.

“Me këtë skemë të granteve do të përzgjidhen idetë më inovative dhe më unike të ndërmarrjeve ekzistuese dhe atyre Start-Up të komunës së Prizrenit, të cilat me këto grante do të jenë në gjendje të krijojnë kushte më të mira për rritjen e të hyrave, hapjen e vendeve të reja të punës, zvogëlimin e importit dhe rritjen e eksportit”, thuhet në njoftim.

Përkrahja financiare e ofruar për këtë thirrje në total është 60 mijë euro, ku 20 mijë euro dedikohen për bizneset Start-Up dhe 40 mijë euro për ndërmarrjet ekzistuese.

Vlera minimale e një granti për Start-Up është 500 euro, ndërsa vlera maksimale është 2 mijë euro. Ndërsa, vlera minimale e një granti për ndërmarrjet ekzistuese është 2 mijë euro derisa vlera maksimale është 4 mijë euro.

Lansimi i skemës së granteve nga Komuna dhe AZhR Jug ishte bërë më 10 maj 2024.