Shtohen befas numrat e infektimeve, Australia nxjerr në rrugë ushtrinë

Australia dërgoi 1.000 ushtarë në shtetin e Victorias me shpresën të ndihmojnë në frenimin e përhapjes së koronavirusit atje. Edhe pse numri I të infektuarve dhe viktimave në këtë vend është relativisht I ulët krahasuar me disa pjesë të tjera të globit, shtimi i rasteve së fundi ka ngjallur frikën e një vale të dytë të sëmundjes.

Shumë vatra të nxehta të saj janë identifikuar në Melbourne, ku autoritetet kanë nisur një “blic” testimesh. “Në vend që të rrimë e të presim sa të mësohet numri i transmetimeve të virusit në komunitet, po shkojmë praktikisht derë më derë për të paraprirë situatën”, deklaroi kryeministri i Victorias, Daniel Andrews.

Ushtria është angazhuar të ndihmojë me testimet dhe detyra të tjera. Autoritetet vendase po përdorin dhe atë që njihet si “testi i salivës”, me të cilin nuk nevojitet veçse një kampion pështyme në një gotë dhe që konsiderohet më pak i bezdisshëm sesa tamponi.