Shtim i infektimeve, policia apel qytetarëve: Shmangni festat, funeralet dhe lokalet

Nisur nga situata e koronavirusit në vend, ku ditët e fundit ka pasur shifra të larta infektimesh policia e Tiranës apelon për qytetarët, për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Duke marrë shkas nga numri në rritje i personave të infektuar nga virusi Covid-19, policia kërkon bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe kontributin e qytetarëve për parandalimin e përhapjes së këtij infeksioni dhe apelon:

– Respektoni protokollet e sigurisë, për të mos rrezikuar shëndetin e tuaj dhe të të tjerëve, distancimin social, bëni kujdes në ceremonitë festive dhe ato mortore, duke mos u grumbulluar në mënyrë masive.

– Mos qëndroni grumbull në ambientet e brendshme të lokaleve, bareve, restoranteve, qendrave tregtare apo marketeve dhe mos pranoi shërbim klienti nga persona që nuk kanë vendosur maska mbrojtëse dhe dorezat.

– Shmangni grumbullimet në ambiente publike, pasi janë në kundërshtim me protokollet e sigurisë dhe janë rrezik potencial për t’u infektuar dhe përhapur Covid-19!

– Kushdo që është i infektuar me Covid-19, të respektojë në mënyrë rigoroze vetëkarantinimin, pasi Policia disponon të gjitha listat e përditësuara me emrat e personave të infektuar dhe do vijojë ushtrimin e kontrolleve të pandërprera për monitorimin e kësaj kategorie, duke marrë masa për cilindo që shkel këtë rregull, sipas sanksioneve ligjore në fuqi.

Aktualisht në vendin tonë janë aktualisht 792 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve Tiranë 366; Durrës 150; Shkodër 133; Vlorë 54; Fier 37; Korçë 18; Lezhë 14; Elbasan 10; Kukës 8; Gjirokastër 1 dhe Berat 1.