Shtabi Operativ Komunal në Dibër kërkon që të dërgohen pulmonolog dhe infektolog në Spitalin e përgjithshëm

Dibër, 10 korrik 2020 (MEDIAL) – Shtabi Operativ Komunal në Dibër, në mbledhjen e sotme, në të cilën u analizua gjendja me Kovid-19, vendosi që të parashtrojë kërkesë në Shtabin Kryesor të Krizës për të dërguar një pulmonolog dhe një infektolog në Spitalin e Përgjithshëm.

Pas takimit, përmbledhja e gjendjes së fazës të dytë të pandemisë është postuar në faqen zyrtare të komunës, ku theksohet se fluksi i pacientëve në spitalin e Dibrës që kërkojnë ndihmë mjekësore, është vazhdimisht në rritje.

“Ka 69 raste pozitive me Kovid-19, plus 17 raste sot. Nëntë kanë fituar betejën me virusin e rrezikshëm, 10 janë në pritje të testit përfundimtar për të konfirmuar shërimin e tyre, 20 janë me dy teste negative, pesë janë hospitalizuar në klinikat e Shkupit, ndërsa fatkeqësisht një nga bashkëqytetarët tanë vdiq, familjes dhe të afërmve të të cilit ne u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Pjesa tjetër po i nënshtrohet trajtimit në shtëpi ose terapisë në ambulancë”, qëndron në njoftimin e Shtabit.

Nga Shtabi theksojnë se pritet rezultat për 25 raste të dyshuara të testuara, por edhe më tej merren shtupa të reja

“Në Spitalin e përgjithshëm në Dibër, pacientët me simptoma të buta dhe të mesme trajtohen në dy turne. Pacientët që kërkojnë kujdes mjekësor janë vazhdimisht në rritje. Ne bëjmë apel për respektim të rreptë të masave dhe rekomandimeve”, thuhet në njoftimin e Shtabit. bs/bsh/