“Shqipëria mikpret botën”, nis sot me Francën cikli i aktiviteteve me 17 javë kushtuar kulturës

Me titullin “Shqipëria mikpret botën” ka nisur sot cikli i Javëve Ndërkombëtare të Kulturës me disa aktivitete në disa qytete të vendeve.

Në një konferencë së bashku me Ministren e Kulturës Elva Margariti, Kryeministri Edi Rama tha se synimi është që kjo të kthehet në një traditë të përvitshme.

“Këtë javë ne synojmë të jetë një traditë e përvitshme për të shpalosur tradita, kultura të ndryshme, për të shpalosur forma dhe shprehje nga më të larmishmet të aktivitetit të çdo qytetërimi dhe për të krijuar hapësira të reja të ndërveprimit me kulturat e tjera, por dhe argëtimit të qytetarëve apo edhe të vizitorëve dhe turistëve që mund të gjenden në vendin tonë”, tha Rama.

“Si viti i parë që nis ky program, është i gjithi në një fazë nisjeje që do të pasurohet në vitet e ardhshme, është një eksperiencë e re prej së cilës do të mësojmë e do të kuptojmë më shumë”, shtoi kryeministri.

Rama theksoi se kjo është një mundësi për të shpalosur tradita e kultura të ndryshme, ndërkohë që kjo javë do të jetë e Francës, për të vijuar më pas edhe me vendet e tjera.

“Fillojmë me javën e Francës dhe më pas vijojmë nëpërmjet një kalendari. Disa prej vendeve të përfshira janë të angazhuara prej kohësh në angazhimin e javëve të tyre kulturore, por ky angazhim i përbashkët i bën shumë më të aksesueshme për publikun. Do të përfshihen aktivitet më popullore, aktivitete në rrugë, tradita e gatimit të vendeve të tjera”, u shpreh Rama.

“Është program që ne synojmë të jetë një program ku të gjitha moshat të mund të gjejnë arsye për t’i frekuentuar. Program ku ne synojmë të ketë hapësirë që nga moshat e reja, deri te pensionistët. Qëllimi i këtij programi është ta shtrijë këtë komunikim dhe këtë përzierje në të gjithë hartën e Shqipërisë, por kuptohet hap pas hapi sepse edhe palët e angazhuara kanë nevojë që të shohin hap pas hapi ecurinë e programit dhe më pas disa shkëndija shumë të vogla të një shpirti konkurrence mes vendesh që i kemi vënë re që tani, do të kthehen në konkurrencë të zjarrtë në vijim”, tha Rama.

Javët kulturore ndërkombëtare do të sjellin për 17 javë në vendin tone një larmishmëri kulturash nga vende të ndryshme të botës, duke filluar me javën e Francës e për ta përfunduar me Kosovën.

Kryeministri Rama theksoi se është një program për të gjitha grupmoshat në vend, që do të gjejnë arsye për ta frekuentuar.

https://www.facebook.com/ediramaal/videos/380854827255660/