Shpërblim vetëm për ata që trajtojnë pacientët me Covid, Sindikata e Mjekëve: Qeveria të mos bëjë diferencime

Pas lajmit në media se qeveria do të shpërndajë bonus mujor për personelin mjekësor që punon në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit, reagon edhe sindikata e mjekëve të Shqipërisë.

I pyetur nga gazeta “Shqip”, kryetari i sindikatës së mjekëve, doktor Fatos Shkurti, tha se përmes një propozimi i është kërkuar ministrisë së Shëndetësisë që bonusin ta përfitojnë të gjithë punonjësit e shëndetësisë, jo vetëm ata që po punojnë në spitalet ku trajtohen pacientët me Covid-19.

Shkurti tha se ky propozim i është dërguar ministrisë me shkrim dhe pritet që ky institucion ta marrë në konsideratë. Sa i takon rritjes së pagës së mjekëve dhe infermierëve, sindikata e mjekëve thotë se vendimarrja i takon qeverisë, por me rëndësi është respektimi i kontratës së punës e cila parashikon pagën e 13-të në fund të vitit, që në fund të 2019 nuk u dha, si pasojë e tërmetit.

Më poshtë intervista e plotë

Z.Shkurti, deri më tani 2 mjekë kanë humbur jetën si pasojë e infektimit nga covid 19 në vendin e punës. Po ashtu qeveria po mendon për një bonus mujor për mjekët e infermierët që punojnë në vijën e parë të luftës. Cili është opinioni juaj?

Ne mendojmë si sindikatë, që në këtë periudhë pandemie, të gjithë punonjësit e shëndetësisë meritojnë një bonus mujor me vlerë një pagë mujore sepse të gjithë janë të rriskuar në punën e tyre. Për shkak të pandemisë ku mbledhjet e takimet tona janë të kufizuara, ne kemi dërguar një shkresë në ministrinë e shëndetësisë ku vëmë theksin te kjo pikë.  Sipas kontratës së punës, mjekët e infermierët e gjithë personeli mjekësor kanë të drejtën e përfitimit të pagës së 13-të, por në fund të vitit atyre iu mohua kjo e drejtë për shkak të situatës me tërmetin. Ka ardhur koha që qeveria të vendosë tua kthejë.

Ka zëra mes mjekësh që kërkojnë rritje të pagës së tyre. Ju si sindikatë a keni kërkuar rritje page?

Rritja më e fundit e pagës së mjekëve i përket dy viteve më parë kur atyre iu rrit 6 përqind ose 5 mijë lekë të reja. Shumë e vogël në raport me punën e sakrificat e tyre duke punuar pa orar. Ajo çfarë ne kërkojmë është mospërjashtimi nga shpërblimi i të gjitha bluzave të bardha, sic u bë me bonusin e dhënë në muajin mars. Të gjithë kanë të drejtë të motivohen pasi rrisku në punën e tyre është i lartë dhe të gjithë janë të ekspozuar për të vënë në rrezik jetën.

Nëse qeveria nuk e merr parasysh propozimin tuaj, cili do të jetë reagimi juaj?

Ne aderojmë në konfederatën e sindikatave të pavarura të Shqipërisë dhe jemi të bindur se propozimi ynë do të merret parasysh. Do të shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjore që të mos ketë përjashtime tek bluzat e bardha.