Shokuese/ Mishtoret e Brazilit kanë lidhje me përhapjen e COVID-19?

Mishtoret industriale të Brazilit ndihmuan në përhapjen e COVID-19 në së paku tri vende të ndryshme në këtë shtet, gjersa virusi po shpërndahet nga qytetet e mëdha në brendësinë e shtetit, kanë thënë prokurorët për Ligjin e punës.

Në fillim të kësaj jave, ky shtet ishte i dyti pas SHBA-së për nga numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus. Janë gati 1.9 milionë të infektuar dhe 72.833 të vdekur.

Sektori i fuqishëm i agro-biznesit është i lidhur ngushtë me presidentin nga e djathta ekstreme, Jair Bolsonaro, i cili e ka quajtur pandeminë si “grip të vogël”.

Sektori i mishit të viçit kap vlerën e 26 miliardë dollarëve, sipas Konfederatës Braziliane të Agrikulturës dhe Blegtorisë, ndërsa industria e mishit të pulës vlen rreth 8 miliardë dollarë, shkruan “The Guardian” të mërkurën.

Mishtoret e mëdha industriale kanë mbetur të hapura edhe gjatë pandemisë, ku punonjësit punojnë afër njëri-tjetrit, shpesh në vende me temperaturë të ulët, ku virusi përhapet më lehtë. Edhe shtetet tjera si SHBA-ja, Kanada, Irlanda dhe Gjermania kanë regjistruar raste me infeksion e që ishin të lidhura drejtpërdrejtë me fabrikat e mishit.

Nga 23 qershori, 4.957 punonjës të mishtoreve kanë rezultuar pozitiv për koronavirus në 32 mishtore, që është një e treta e rasteve të përgjithshme në këtë rajon, kanë thënë prokurorët.

Kina, që është partneri më i madh i Brazilit për tregti të mishit, ka pezulluar importet nga mishtoret që janë pronë e dy prodhuesve më të mëdhenj të Brazilit, BRF dhe JBS, në fillim të këtij muaji.

Kompania më e madhe e mishit JBS nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me prokurorët për kompensimin e pagave të punëtorëve dhe pavarësisht rasteve të shumta me infeksione, i ka rihapur fabrikat e mishit, ku prodhimtaria edhe më tutje vazhdon në kushte, të cilat infektologët i quajnë të përkryera për përhapjen e koronavirusit.