Shaqiri: Përparimi i vendit do të varet nga mënyra se si do të edukojmë të rinjtë në këtë vend
Shkup, 27 tetor – Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri mori pjesë në shënimin e gjashtë vjetorit të themelimit të Universitetit “Nënë Tereza”, ku siç informoi MASH theksoi se investimi më i mirë që mund të bëjmë sot është investimi në arsim cilësor dhe se përparimi i vendit do të varet nga mënyra se si do t’i edukojmë të rinjtë në këtë vend.
“Nëse angazhohemi me zell, përparimi do të jetë i pashmangshëm dhe sukseset do të jenë të dukshme. Dituria është fuqi. Arsimi është parakusht për përparim, në çdo shoqëri, në çdo familje. Vetëm të arsimuar, ne mund të jemi të lirë. Edhe pse kjo nuk është aspak detyrë e lehtë, duhet shfrytëzuar çdo mundësi për ngritjen e arsimit shqip në vend, të ndërmerren aktivitete të cilat do të rrisin autonominë e universiteteve, të krijohen kushte dhe mundësi të reja për çdo student, në mënyrë që sa më lehtë të përballen me tregun e punës dhe të jenë konkurrentë të denjë të studentëve nga universitetet europiane dhe universitetet tjera në botë”, theksoi Shaqiri.
Duke falënderuar inicijatorët e themelimit të universitetit të parë shtetëror në gjuhën shqipe në kryeqytet, ministri theksoi se është i kënaqur me progresin e vazhdueshëm të arritur në gjashtë vitet e para të ekzistencës së këtij Universiteti.
“Jam i bindur se do të vazhdoni me përkushtimin më të madh dhe trajnim të suksesshëm të studentëve, të cilët do të jenë shtylla e dijes në këtë vend. Mbështetja dhe ndihma e vazhdueshme për realizimin e misionit tuaj nuk do të mungojë në asnjë moment nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës si dhe nga Qeveria. Ne jemi të gatshëm që mundësitë dhe përvojën tonë t’ua vëmë në dispozicion studentëve dhe profesorëve në Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup, si dhe në çdo universitet tjetër”, u shpreh Shaqiri.