Setien pas barazimit me Seviljën: Një pikë më mirë se asgjë

Sevilja, 20 qershor 2020 (MEDIAL) – Lideri në La Liga, Barcelona nuk arriti ta fitojë si mysafir kundër Seviljës (0:0) dhe rrezikon pozitën e liderit t’ia lëshojë Real Madridit. Pas ndeshjes në “Ramon Sançez Pisuhan”, trajneri i katalonasve Kike Setien pranoi se ekipi ka luajtuir në nivel vetëm në gjysmëorën e parë.

“30 minutat e para ishin shumë inkurajuese. Luajtëm mirë, por nuk e lejuam Seviljën t’i tregojë anët e veta të forta. Por, pas pauzës, filluam të luajmë më ngadalë, e humbëm topin. Pas pauzës ende nuk ishim mirë të organizuar, ndërsa Sevilja tashmë ishte ekipi i cili e kontrollon ndeshjen. Ata çdoherë janë në mundësi ta ndëshkojnë kundërshtarin kur u lihet hapësirë”, komentoi Setien.

Sipas tij, katalonasit nuk dinin si të vinin në situatë goli.

“E dinim se nuk do të jetë ndeshje  e lehtë. Në këtë situatë, një pikë është më mirë se asgjë”, tha trajneri i Barcës.

Lidhur me rangimin, ai konsideron se gjasat nuk janë të njejta si para ndeshjes së djeshme, por Real Madridi ende nuk ka fituar si mysafir tek Real Sosiedad, ndërkaq kjo është detyrë e vështirë. ab/