Sela, Gashi dhe Kasami nuk do të shkojnë sot në takimin e liderëve te Ahmeti

/

Liderët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës Ziadin Sela dhe Afrim Gashi nuk do të shkojnë në takimin e krerëve të partive nga blloku politik shqiptar që sot në mesditë e organizon kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Në takim nuk do të shkojë as lideri i Besës Bilall Kasami.

Ahmeti e planifikoi takimin e përbashkët për sot në përvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa krahas Selës, Gashit dhe Kasamit, është thirr edhe lideri i PDSH-së Menduh Thaçi, i cili deri më tani nuk u deklarua publikisht se a do të marrë pjesë.

Sela dhe Gashi dje informuan se pranojnë takim të përbashkët me liderët e partive nga blloku politik shqiptar, por kërkojnë që në vend se sot, ai të mbahet në datë tjetër, pas 17 gushtit. Sipas tyre, që të ketë takim thelbësor dhe të frytshëm, do të ishte mirë që ftesa të ketë propozim agjendë, që të kenë ide më të qartë për shkakun e organizimit të saj.

Edhe lëvizja Besa mbrëmë bëri të ditur se lideri i saj Bilall Kasami nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve. Besa propozon vendosjen e modelit të ri të takimeve të partive parlamentare politike të shqiptarëve, gjegjësisht kjo të ndodhë pas formimit të qeverisë së re.

Nga BDI-ja përmes një kumtese shprehën falënderim për ata të cilët shfaqën interes për pjesëmarrje në takim dhe publikuan agjendën prej disa pikave për të cilat do të diskutonin krerët partiakë.

“Statusi i realizimit të përcaktimeve nga Deklarata e Përbashkët në mandatin e kaluar; Vlerësim i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 15 korrikut 2020; Krijimi i Këshillit ndërpartiak në përputhje me Deklaratën e Përbashkët dhe përcaktimi i afateve për realizimin e objektivave të përbashkëta dhe Të ndryshme”, janë temat të cilat i propozon BDI-ja.

Nuk e komentojnë anulimin e Selës, Gashit dhe Kasamit, por thonë se mbeten të hapur për takime të mëtutjeshme gjatë javës së ardhshme ose në cilëndo datë tjetër të ardhshme për të cilën, siç theksojnë, do të merreshin vesh në takimin e sotëm të përbashkët.

Iniciativën e Ahmetit për takim liderësh të partive të bllokut politik shqiptar, e kritikoi kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, duke e e vlerësuar si “presion ndaj tij dhe Koalicionit Mundemi për kryeministër me propozim të BDI-së”. Për atë se vallë takimi i liderëve të partive shqiptare, mund të ndikojë ndaj formimit të shumicës së re parlamentare, Zaevi tha se është shumë herrët të jepet çfarëdo përgjigje për këtë.

Takimi i krerëve politikë shqiptarë, sipas agjendës së BDI-së, duhet të mbahet në mesditë në hotelin Park në Shkup, në të njëjtën kohë me dorëzimin e mandatit për përbërjen e qeverisë së re nga presidenti Stevo Pendarovski të liderit të LSDM-së Zoran Zaev.