Sekreti i fisit bolivian: Kanë zemrën dhe trurin më të shëndetshëm në botë

Sekreti i një shëndeti të mirë mund të gjendet i fshehur në thellësitë e Amazonës boliviane. Atje, studiuesit kanë zbuluar se njerëzit e fisit Tsimane e kanë zemrën dhe trurin jashtëzakonisht më të shëndetshme në krahasim me qytetarët e vendeve të zhvilluara perëndimore.

Shkencëtarët kishin tashmë informacione se Tsimane, një fis me rreth 16.000 banorë, gëzonin një shëndet të shkëlqyer. Një studim i vitit 2017, tregoi se ata kishin zemrën më të shëndetshme në botë. Tani, një studim i këtij viti ka konfirmuar se banorët e këtij fisi të madh, nuk kanë vetëm zemrën të shëndetshme, por edhe truri i tyre është gjithashtu shumë më i fortë se i njerëzve të tjerë.

Studimi i këtij viti shqyrtoi 746 të rritur të fisit Tsimane midis moshave 40-94 vjeç. Banorët që udhëtuan për 2 ditë në këmbë nga fshatrat e tyre të izoluar në Trinidad të Bolivisë, iu nënshtruan skanimeve CT në mënyrë që studiuesit të mund të shihnin gjendjen e trurit e tyre.

Pasi realizuan skanimet e trurit të tyre, studiuesit i krahasuan ato me skanimet e trurit të të rriturve nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Holanda. Gjetjet e tyre konfirmuan gjetjet e  studimit të vitit 2017, sefisi Tsimané kishte një tru shumë më të shëndetshëm sesa perëndimorët. Kur studiuesit analizuan vëllimin e trurit midis dy popullatave, ata zbuluan se ndryshimi në vëllimin e trurit midis moshës së mesme dhe moshës së vjetër ishte 70 për qind më i vogël tek truri i fisit Tsimane sesa i atyre të vendeve të zhvilluara perëndimore.

Edhe pse një nivel i caktuar i atrofizimit së trurit është normal, një përshpejtim i tij mund të çojë në dëmtime të aftësive njohëse, rënie funksionale dhe demencë. “Fisi Tsimane na ka siguruar një eksperiment të mahnitshëm natyror mbi efektet potencialisht të dëmshme të stileve moderne të jetës mbi shëndetin tonë”- thotë autori i studimit Andrei Irimia, asistent profesor i gerontologjisë, neuroshkencës dhe inxhinierisë biomjekësore në USC Leonard Davis School of Gerontology.

“Këto zbulime sugjerojnë se atrofia e trurit mund të ngadalësohet ndjeshëm nga të njëjtët faktorë jetese që lidhen me një rrezik shumë të ulët të sëmundjeve të zemrës”-thekson ai.

Në disa aspekte, këto rezultate nuk janë dhe aq të habitshme.

Njerëzit e fisit Tsimane janë fizikisht aktivë dhe jetojnë me bujqësi, gjueti dhe peshkim.

Ata kanë një dietë ushqimore me shumë fibra dhe që përfshin perime, peshk dhe mish pa shumë dhjamë. Ndërkohë, perëndimorët kanë në përgjithësi një stil jetese sedentare (qëndrojnë shumë kohë ulur) dhe konsumojnë më shumë yndyrna të ngopura.

Por studiuesit nuk ishin të sigurt nëse stili i shëndetshëm i jetës së njerëzve të fisit Tsimane, do të përkthehej domosdoshmërisht në një tru më të shëndetshëm. Megjithëse banorët e këtij fisi hanë mirë dhe janë fizikisht aktivë, atyre u mungon kujdesi shëndetësor dhe ilaçet moderne.

Për këtë arsye, ata janë përgjithësisht më të prekshëm ndaj sëmundjeve infektive dhe niveleve të larta të inflamacionit. Për shkak se inflamacioni shoqërohet me një atrofizim të trurit, studiuesit dyshuan se tek këta njerëz truri mund të atrofizohet më shpejt.

Në vend të kësaj, ata zbuluan se e kundërta ishte e vërtetë. Kjo gjë sugjeron se shëndeti i mirë kardiovaskular, mund t’i tejkalojë efektet anësore të inflamacionit. Por i rëndësishëm është edhe lloji i inflamacionit. Ndërsa inflamacioni tek njerëzit e këtij fisi bolivian shkaktohet nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, gastrointestinale dhe parazitare, inflamacioni tek perëndimorët shkaktohet nga mbipesha dhe shkaqet metabolike.

“Stili ynë i jetës sedentare dhe dieta e pasur me sheqerna dhe yndyrna, mund të përshpejtojë humbjen e indeve të trurit me kalimin e moshës,duke na bërë kësisoj më të prekshëm ndaj sëmundjeve të tilla si Alzheimeri”- tha autorja tjetër e studimit Hilard Kaplan, profesore e ekonomisë shëndetësore dhe antropologjisë në Universitetin Çapman, që ka shpenzuar vite duke studiuar këtë fis.

“Fisi Tsimane mund të shërbejë si një shembull i shkëlqyer i plakjes së shëndetshme të trurit”- mendon ajo. Gjithsesi, disa shkencëtarë mendojnë se nevojiten më shumë kërkime. Rebeka Edelmajer, drejtoreshë e angazhimit shkencor në“Shoqatën e Alzheimerit”, vuri në dukje se studimi më i fundit i trurit mbi njerëzit e fisit Tsimane nuk vlerësoi kujtesën apo aftësitë e tyre të të menduarit.

Ai nuk mori parasysh faktorë si ekspozimi ndaj mjedisit ose gjenet, të cilët mund të ndikojnë në plakjen e trurit dhe demencën. Sidoqoftë, studimi duket se provon diçka shumë bazike:të ngrënit mirë dhe lëvizja e shpeshtë mund të çojë në një shëndet më të mirë.“Gjetjet e këtij studimi, sugjerojnë mundësi të shumta për ndërhyrje për të përmirësuar shëndetin e trurit. Madje edhe në popullata me nivele të larta të inflamacionit”-vuri në dukje Kaplan. /Bota.al