Sekretares së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së i vidhet çanta, po darkonte në restorant

Një incident i pazakontë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në një restorant në Uashington DC, ku çanta e Kristi Noem, Sekretare e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, u vodh nga një person i panjohur ndërsa ajo ishte duke darkuar me familjen.
Burime për NBC News konfirmuan se çanta përmbante 3,000 dollarë, një kartë identifikimi që lejon akses në ndërtesa të sigurta qeveritare, si dhe dokumente të tjera personale si pasaporta, karta krediti, çeqe bosh dhe çelësa.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:00 kur një burrë që kishte vendosur një maskë mjekësore, hyri në restorant dhe u afrua te tavolina ku ndodhej zonja Noem.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, ai u ul pranë saj, zhvendosi karrigen më afër dhe me një lëvizje të fshehtë, e tërhoqi çantën drejt tij duke përdorur këmbën, më pas e fshehu nën xhaketë dhe u largua nga lokali.
Në momentin e ngjarjes, në restorant ndodheshin të paktën dy agjentë të Shërbimit Sekret, të vendosur midis zonjës Noem dhe derës kryesore megjithatë, vjedhja ndodhi pa u ndalur nga askush në kohë reale.
Zëdhënësja e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Tricia McLaughlin, tha se Noem mbante para të gatshme pasi e gjithë familja ndodhej në qytet për të festuar Pashkët dhe për të marrë pjesë në aktivitete të përbashkëta.
Aktualisht nuk dihet nëse zonja Noem ishte objektiv i qëllimshëm i autorit të ngjarjes ndërsa hetuesit po përpiqen të përcaktojnë nëse grabitësi e dinte identitetin e viktimës.
Kur u pyet për ngjarjen, zonja Noem u shpreh: “Nuk mendoj se mund të komentoj ende. Nuk është zgjidhur ende.” Ajo konfirmoi se Shërbimi Sekret është në dijeni, por nuk ka zhvilluar ende një bisedë me agjentët për atë që ndodhi.
Zonja Noem, një përkrahëse e politikave të ish-presidentit Donald Trump, është e njohur për qëndrimet e saj të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm dhe përkrahjen për forcimin e kufirit SHBA-Meksikë.