Rustemi: Javën a ardhshme fillojnë negociatat me partnerin strategjik për Korridorin 8

Shkup, 4 shkurt – Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot ka marrë vendim me të cilin e ka obliguar Komitetin për negociata për implementimin e projektit për ndërtimin e Korridorit infrastrukturor 8 t’i fillojë negociatat me partnerin strategjik më 6 shkurt 2023.

Ndërkohë drejtori i NR”Rrugët Shtetërore” Ejup Rustemi ka theksuar se Qeveria miratoi konkluzën e propozuar nga Komiteti ku është anëtar edhe ai se janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e bisedimeve.

“Kam kënaqësinë e veçantë të ndaj lajmin se bisedimet me konsorciumin Behtel dhe Enka fillojnë më 6 shkurt dhe do të zgjasin 21 ditë. Pas nënshkrimit të djeshëm të Marrëveshjes për mbikëqyrje me konsorciumin IRD Inzhenering, si dhe pas mbledhjes së mbajtur të Komitetit drejtues për Korridoret 8 dhe 10 D, Qeveria miratoi konkluzën e propozuar se janë plotësuar të gjitha parakushtet për fillimin e bisedimeve”. ka shkruar Rustemi.

Prej këtu, ka shtuar ai, dua të theksoj se realizimi i këtij investimi kapital do të kontribuojë në modernizimin e infrastrukturës rrugore, e cila në të ardhmen do të mundësojë zhvillim shtesë të shërbimeve, kushte më të mira për zhvillimin e biznesit, por edhe kushte të sigurta për udhëtimin e qytetarëve tanë.