Ruskovska: Prokurori publik nuk mund të përzihet në lëndët konkrete të prokurorëve

Shkup, 1 gusht – Shefja e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar, Villma Ruskovska e konteston raportin e përgatitur nga Prokuroria Publike e Lubomir Joveskit, në lidhje me bastisjen në Drejtorinë e Policisë Financiare.
Ruskovska në një deklaratë për televizionin Alsat tha se prokurori publik nuk ka të drejtë ligjore që të përzihet në veprimet për lëndët konkrete. Paraprakisht nga PTHP njoftuan se kanë konstatuar parregullsi te prokurorët të cilët bënë mbikëqyrje në punën e drejtorit të DPF Arafat Muharemi. Prej atje shtojnë se nga prokurorët ishin kërkuar informacione të caktuara, por Ruskovska mohon se edhe ajo ka qenë e ftuar që të japë deklaratë.
“Jo, nga unë nuk është kërkuar që të jap deklaratë”, deklaroi Ruskovska.
Më tutje, nga PTHP informojnë se personat nga Drejtoria mbi të cilët është bërë mbikëqyrja kanë kompetenca policore dhe për këtë ndaj tyre mund të veprojë vetëm Departamenti i Specializuar për Ndjekjen e Krimeve të kryera nga personat me kompetenca policore.
“Sipas kësaj, tre prokurorët publikë nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit të cilët kanë vepruar në këtë rast dhe nuk janë pjesë e Departamentit të Specializuar kanë vepruar pa autorizim për kallëzimin penal. Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut bën me dije se rasti duhet të regjistrohet në regjistër të përshtatshëm dhe sipas orarit të caktuar prokurorit publik i cili caktohet në Departamentin e Specializuar”, theksojnë nga PTHP.
Sipas Ruskovskës, parashtrohet pyetja nëse drejtori ka autorizime policore duke pasur parasysh që atë e emëron Qeveria. Në çdo rast, shtoi ajo, lënda mund të transferohet nga një regjistrues në tjetrin dhe kjo është ligjore.
Sa i përket asaj se nga PTHP kanë konstatuar parregullsi edhe gjatë kërkesës për bastisje, të cilën e ka miratuar gjykatësi kompetent, shefja e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar tha se Gjykata është ajo që vendos nëse ka baza për dhënie të urdhrit për bastisje.
“Ajo nëse ka bazë për dhënien e urdhrit për bastisje vendos Gjykata, jo prokurori publik. Nëse ai ka vlerësuar se bastisja nuk është ligjore, ka mundur të dorëzojë ankesë në Këshillin Gjyqësor të Gjykatës. Aq sa kam njohuri unë, një ankesë e tillë nuk është dorëzuar”, tha Ruskovska.
Më herët sot PPRMV njoftoi se dy prokurorë publikë të Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut, duke vepruar për një parashtresë nga Drejtoria e Policisë Financiare, në pajtim me nenin 28 të Ligjit për Prokurorinë Publike, kanë kryer mbikëqyrje dhe inspektim në një lëndë të formuar në Prokurorinë Publike Themelore për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe e kanë dorëzuar te prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në kumtesë mes tjerash thuhet edhe se në pajtim me nenin 27 paragrafi 4 të Ligjit për Prokurorinë Publike, me indikacion, prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shkup është përgjegjës për hetimin e plotë të procedurës në këtë rast, të konstatojë gjendjen faktike dhe të gjitha rrethanat relevante, lëshimet në veprim dhe faktet për përgjegjësi të mundshme dhe të dorëzojë informata në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.