Rritja rasteve me koronavirus në Kosovë, do të ashpërsohet inspektimi i respektimit të masave

Nga 685 mostra të testuara në 24 orët e fundit në IKSHPK dhe laboratoret private, gjithsej 98 kanë rezultuar pozitive, shkruan lajmi.net.

Brenda këtyre 24 orëve ka pasur edhe një rast të vdekjes duke e dërguar kështu në 649 numrin e përgjithshëm.

Përveç 98 rasteve të reja, në këto 24 orë gjithashtu janë shëruar 37 pacientë, duke e dërguar kështu numrin e të shëruarve në 14,405.

Në anën tjetër, në Kosovë aktualisht janë edhe 1291 raste aktive.

E rritja e ditëve të fundit ka mobilizuar institucionet përgjegjëse të vendit. Sot, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se masat duhet të respektohen dhe se inspektimet nga policia dhe inspektoratet do të rriten këto ditë.

“Inspektimet do të vazhdojnë me ritëm të shtuar, gjobat të shqiptohen sipas Ligjit për luftimin e pandemisë Covid-19 dhe nuk do të lejohet asnjë lloj shkarje prej ligjit, i cili duhet të zbatohet me përpikëri. Nga nesër do të jenë në teren edhe 75 inspektorë sanitar, ndërsa nga Policia e Kosovës do të kërkojmë kthim të orarit të punës nga 12 orë në ditë . Tash, kur gastronomia mund të punojë edhe brenda hapësirave të lokaleve të veta, distanca në mes të tavolinave, higjiena dhe mbajtja e maskave si nga personeli po ashtu edhe nga mysafirët janë të domosdoshme. Aty ku ka neglizhencë, aty ku vazhdohet me dasma dhe tubime të tjera familjare, aty do të ketë mbyllje, pa paralajmërim, në të kundërtën masat e reja do të jenë të domosdoshme.”, ka shkruar ndër të tjera Zemaj.

Masat anti covid duhet të respektohen nga çdo kush dhe në çdo kohë Kërkoj që Policia e Kosovës dhe të gjitha…

Gepostet von Armend Zemaj am Dienstag, 13. Oktober 2020

Përveç kësaj, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se varësisht situatës epidemiologjike në Kosovë mund të ketë shtrëngim të masave anti-Covid.

Rritje të rasteve të reja me koronavirus po përjeton gjithë rajoni i Evropës dhe shumë vende të rajonit kanë vendosur t’i shtrëngojnë masat. /Lajmi.net/