Rritet edhe për 70 miliardë dollarë deficiti tregtar në SHBA

Deficiti i tregtisë së jashtme i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u rrit 4.8 për qind gjatë muajit në shkurt, duke arritur një rekord 71.1 miliard dollarë.

Rritja e deficitit është pasojë e një rënie më të madhe të eksporteve sesa importet, pasi që ekonomia amerikane po rimëkëmbet më shpejt se ekonomitë e rivalëve të saj botëror.

Eksportet totale ranë 2.6 për qind në 187.3 miliardë dollarë, me mallrat që ulen 3.5 për qind në 131.1 miliardë dollarë, ndoshta për shkak të një vale të motit jashtëzakonisht të ftohtë në shkurt në pjesën më të madhe të vendit.

Dorëzimet e mallrave kapitale në tregjet e huaja ranë më së shumti, me rreth 2.5 miliardë dollarë. Ulja u regjistrua në eksportin e mallrave të konsumit, automjeteve motorike, pjesëve dhe motorëve, si dhe ushqimit dhe produkteve ushqimore.

Nga ana tjetër, importet totale ranë 0.7 për qind në 258.3 miliardë dollarë. Importet e mallrave ranë me 0.9 për qind në 219.1 miliardë dollarë, kryesisht për shkak të ndërprerjeve në zinxhirin e furnizimit dhe jo të kërkesës së dobët të brendshme.

Importi i mallrave kapitale regjistroi një nivel rekord, i inkurajuar, ndër të tjera, nga blerja e avionëve civilë, pajisjeve mjekësore dhe elektrike.

Gjithashtu, importi amerikan i lëndëve të para industriale dhe furnizimeve në shkurt ishte më i madhi që nga tetori 2018, që është për shkak të importit të naftës bruto me vlerë 1 miliard dollarë. Si rezultat, Shtetet e Bashkuara regjistruan deficitin e parë të naftës që nga dhjetori 2019.

Në të njëjtën kohë, importet e automjeteve, pjesëve dhe motorëve, si dhe mallrave të konsumit ranë.

Pas bllokadës së fundit gjashtë ditore të Kanalit të Suezit, ekonomistët parashikojnë që flukset tregtare të mbeten të depresionuara në mars.