Roaul Bova sërish probleme me taksat

Aktori italian Roaul Bova është akuzuar për evazion fiskal dhe deklarim të rremë. Sipas organit të akuzës, aktori i është shmangur tatimit të 417 mijë eurove në vitin 2011.

Kjo është hera e dytë që Bova përballet me probleme ligjore lidhur me mospagimin e taksave. Në vitin 2017, ai u dënua me një vit e gjashtë muaj burgim, sërish për “deklarim të rremë” për shmangien e rreth 600 mijë eurove, gjatë periudhës 2005-2010.

Për akuzën, Bova është përgjegjës për transferimin e kostove te kompania që menaxhon imazhin e tij, ku është aksioner me 80%, duke paguar një tarifë më të ulët në vitin 2011. Në deklaratën tatimore janë shënuar elemente aktive për një shumë më të ulët se ato reale dhe elemente pasive fiktive.

Duke komentuar dënimin e vitit 2017 për evazion fiskal, Bova kishte folur për padrejtësi. Ndërkohë një tjetër gjyq është hapur për aktorin. Bova akuzohet për dhunë, kërcënim dhe plagosje ngjarje e cila ka ndodhur në 27 prill 2019.