Renovime në Ministrinë e Rozeta Hajdarit, kjo është arsyeja

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në krye me Rozeta Hajdarin, ka shpallur tender në vlerë prej 6 mijë euro, për renovimin e disa zyreve në objektin e kësaj ministrie. Kompania që do ta fitoj këtë tender, do të bëjë renovimin dhe ndarjen e pesë zyrave.

Në një përgjigje për Gazetën Express, nga kjo ministri kanë thënë se ndarja e këtyre zyreve do të bëhet për të krijuar hapësira më të përshtatshme për punë.

“Objekti në të cilën është i akomoduar stafi i Ministrisë sonë është i pamjaftueshëm për sigurimin e kushteve të nevojshme për punë dhe në mungesë të sigurimit të një objekti më të përshtatshëm dhe shtimit të buxhetit për investime kapitale, jemi detyruar që të bëjmë zgjidhje alternative përmes renovimit/ndarjes së zyrave ekzistuese”, kanë thënë nga ministria.

Arsye tjetër e këtyre renovimeve, thonë se janë edhe masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Të pyetur nëse në mesin e zyrave që do të renovohen është edhe ajo e Ministres Rozeta Hajdari, nga kjo ministri kanë deklaruar se zyra e Hajdarit s’do të renovohet.

“Për më shumë, me ndryshimet e fundit në strukturën e Ministrisë (zgjerimi i fushëveprimit, – kalimi i tre departamenteve nga ministritë tjera në MINT) është shtuar edhe numri i nëpunësve.

Kështu që të gjitha institucionet kanë për obligim sigurimin e hapësirave me distancë të mjaftueshme në mes të nëpunësve, në mënyrë që të jemi në përputhje me vendimet e Qeverisë për zbatimin e masave në luftimin e pandemisë. Po ashtu ju njoftojmë se zyra e Ministres nuk do të rinovohet”, thuhet në përgjigjet e ministrisë.

Zyrat që do të ndahen janë për Departamentin e Integrimeve Evropiane, Departamentin për Kontrollin e Tregut dhe Mallrave Strategjike, Departamentin e Industrisë, Departamentin e Turizimit, si dhe hapja e një dritareje në zyrën e financave.

Ndryshe, bazuar në njoftimin për kontratë të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, thuhet se kohëzgjatja e kësaj kontrate është 10 ditë.

Kompanitë e interesuara për të kryer këto renovime mund t’i dorëzojnë ofertat e tyre deri më 15 prill, në orën 14:00.