Ramadani: Kemi vija të kuqe për diskutimin e taksës dhe shkëmbimit të territoreve

në kategorine Kosovë

Për anëtarin e kryesisë së AAK-së, Burim Ramadanin, takimi i djeshëm për kafe i Isa Mustafës me Albin Kurtin nuk paraqet asgjë të keqe meqë sipas tij bashkimet mes partive duhet të jenë të mira.

Kështu u shpreh ai gjate emisionit Info Magazine në Klan Kosova, ku u deklarua edhe rreth asaj nëse edhe partia e tij mund t’i bashkëngjitet “kafesë” në fjalë:

“Nëse ka pajtime për shtetin, sikurse është largimi i çfarëdolloj diskutimi mbi territorin, mbi heqjen e taksës pa njohjen nga Serbia, etj. Po ashtu qëndrime të qarta që të mos ketë dekret politik”.

“Në koalicione të para ose pas zgjedhjeve nuk mund të ulemi të diskutojmë kur kemi të bëjmë me parti që janë kundër këtyre qëndrimeve, pra vija të kuqe i kemi për shkëmbim të territoreve ose për servilitet ndaj Serbisë siç është falja e tregut”.

“Respekt reciprok kemi me parti si Nisma,PSD e AKR, me të gjitha ka mundësi bashkëpunimi. Ka ambient dhe ndjenjë të mirë mes këtyre partive”.

Ndërkaq, koalicioni me PDK-në duket se nuk është në opsionet e AAK-së.

“Kemi pasur situata kur ka pas mosbesim dhe goditje jo korrekte. Ju kujtohet deklarata e Veselit kur ka thënë se Ramush Haradinaj flet me Amerikën si me Serbinë?! Ne s’kemi interesim që të veprojmë njëjtë si para dy vjetëve. Nuk kemi interesim që të shkojmë në koalicione parazgjedhore të tilla të njëjta, absolutisht jo”, u shpreh zëvendësministri në largim i ministrisë së mbrojtjes, Ramadani.

“Për ne me patjetër janë temat që nuk mund të bëhen kompromise me territorin, taksën ndaj produkteve të Serbisë, etj. Këto janë tema që Kosova duhet t’i ketë patjetër”.

“Jemi në një situatë ku ka reflektim të partive opozitare. Kemi dëgjuar që edhe LDK është pro taksës dhe mos-heqjes së saj”.

“Ne jemi të bindur se situata ka ndryshuar në terren. Do te ketë riformatizim të skenës politike duke e pasur AAK-në si parti të parë por kjo varet nga votuesit në ditën e zgjedhjeve”.

“Ka qenë e befasishme për të gjithë ne që Haradinaj të ketë ftesë nga dhomat e specializuara, dhe ai ka dhënë dorëheqje që të mos e dërgojë shtetin e Kosovës para hetuesve atje. Haradinaj nuk kalkulon politikisht kur ka të bëjë çështja kombëtare”, përfundoi ai.

Burimi: https://klankosova.tv/

©MEDIAL.MK Derisa keni vendosur të merrni përmbajtje nga kjo faqe, në tërësi pajtoheni me /KUSHTET E PËRDORIMIT/.