Qeveria Hoti nuk u interesua për Nezir Mehmetajn, familja presin seancën gjyqësore për lirimin e tij

As Qeveria jetëshkurtër e Kurti dhe as kjo aktualja e Hotit nuk arritën ta kthejnë në Kosovë qytetarin e tyre, i arrestuar nga autoritetet serbe të bazuara në vetëm një deklaratë të një gruaje rome, lidhur me dyshimet për krime lufte.

Derisa, Nezir Mehmetaj pritet që shumë shpejt të dal në seancë gjyqësore ku edhe do të vendoset për fatin e tij, kështu ka bërë të ditur për lajmi.net vëllai i tij Valoni, i cili shprehet i indinjuar me mos-reagimin dhe mos-ndërmarrjen e veprimeve nga autoritetet kosovare.

“Kemi kontaktuar me avokatin, iu është vazhduar edhe për 30 ditë paraburgimi. Po presim që me dal në seancë gjyqësore që të vendoset. Avokatët kanë shpresa që të lirohet në seancë, por të sigurt nuk jemi asgjë. Por përderisa po bëhen fabrikime nga ana e Serbisë nuk e dimë çka mundet me kanë rezultati përfundimtarë. Mirëpo shpresat janë pozitive sepse nuk ka fakte kundër tij”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se tashmë si familje janë mobilizuar për të gjetur mënyra tjera për lirimin e vëllait të tyre, pasi shteti i Kosovë nuk është duke bërë asgjë. Ndërsa Valoni shpreson në lirimin e Nezirit, pasi thotë se autoritetet serbe nuk kanë fakte kundër vëllait të tij.

“Më të thënë të drejtën ne një kohë jemi munduar të kontaktojmë edhe me Ministrinë edhe me çdokënd që kemi menduar që mundet me ndihmu në lirimin e tij, por e kemi parë që nuk ka asgjë vetëm premtime. Prandaj e kemi lënë këtë dhe po merremi vetë personalisht si familje për të parë nëse mundemi me bë një zgjidhje. Të gjithë e din rastin, Ministria duhet që të interesohet vetë, nuk ka nevojë me ju bë presion. Kur është në pyetje një qytetar i Kosovës ata duhet vetë që të interesohen”, ka thënë Valon Mehmetaj.

Ai po ashtu ka treguar për lajmi.net, se gjendja e vëllait të tij, i cili gjendet në paraburgim në Serbi, është e mirë.

“Vajza e tij ka qenë javë e kaluar në vizitë. Vëllai i ka thënë se është mirë, nuk ka diçka ndonjë maltretim apo diçka. Vajza ka thënë se duket pak më ligsht me shëndet, por jo i lodhur shumë”, ka thënë Mehmetaj.

Reagimi i fundit shtetëror lidhur me rastin e Nezir Mehmetajt ishte më 14 mars, ku ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kërkoi nga shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, të përdorë autoritetin e tij për lirimin e Mehmetajt.

Ndërkohë Gjykata e Lartë në Beograd gjatë muajit gusht, për herë të tretë ia ka kthyer Prokurorisë aktakuzën kundër Nezir Mehmetaj për plotësim. Atë po e akuzojnë për krime lufte kundër civilëve në fshatin Rudicë, komuna e Klinës, në qershor dhe korrik të vitit 1999.

Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktakuzë ndaj Mehmetajt në muajin korrik, por tashmë asaj i është kthyer për plotësim.

Ndryshe, Mehmetaj është arrestuar më 3 janar të këtij viti në pikën kufitare në Merdarë dhe që nga atëherë është në paraburgim.

Atë ditë, ai ishte nisur për Nish bashkë me nënën e tij për një vizitë mjekësore. Për tri orë me radhë, familjarët e Mehmetajt kishin pritur në Merdarë për të marrë informacione për ndalimin e Mehmetajt, por që të njëjtat nuk i kishin marrë. /Lajmi.net/