Pse “shtëpitë e gjelbra” po shihen si e ardhmja në Afrikën e Jugut?

Një ekip arkitektësh e studentësh nga Afrika e Jugut janë fitues të një konkursi të zhvilluar në qytetin bregdetar Kejptaun, i cili përqendrohet tek ndërtimi i shtëpive që nuk emetojnë dioksid karboni. Ata u nderuan me çmimin e parë pak javë përpara Ditës së Tokës, më 22 prill. Ekspertët thonë se projekti, që përfshin ndër të tjera përdorimin e energjisë diellore, ftohjen pasive, sistem ky që konsumon pak energji, mbledhjen dhe ruajtjen e ujit të shiut, si rritjen e perimeve e zarzavateve në kopsht, mund të ndihmojë në uljen e sasisë së gazit karbonik që emetohet në shkallë vendi. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Vinicius Assis njofton.

Një ekip prej nëntë studentësh e profesionistësh të rinj nga Afrika e Jugut fituan çmimin e parë në konkursin e quajtur “Shtëpia ime e gjelbër dhe e pastër”, një konkurs lokal ndërtimi e projektimi.

Konkursi mblodhi bashkë arkitektë të cilët u angazhuan të ndërtojnë një shtëpi që nuk emeton gaz karbonik, me një buxhet prej vetëm 12,000 dollarësh.

“Është një mënyrë e mirë për t’i ofruar publikut të gjerë atë tek e cila besojmë dhe për të cilën kemi studiuar. Duan ta ndajmë këtë me qytetin e Kejptaunit si dhe të edukojmë edhe më shumë njerëz lidhur me ndërtesat që nuk emetojnë gaz karbonik”, thotë Sharne Bloem, arkitekte, ekipi Mahali.

Pavarësisht nga sipërfaqja e vogël, vetëm 70 metra katrorë, cilësia e shtëpisë e befasoi publikun.

“Projektet me energji të gjelbër janë të kushtueshme. Ndaj nuk mund t’u ofrohen të gjithëve. Por nëse projekti është i qëndrueshme, e praktik nga pikëpamja ekonomike, atëherë ka shumë kuptim”, thotë Louise Farrow, menaxhere.

Autoritetet e Kejptaunit thonë se ndërtesat konsumojnë 38% të energjisë së qytetit dhe prodhojnë 58% të gazit karbonit që emeton qyteti. Ata synojnë që të gjitha ndërtesat e reja të qytetit të mos emetojnë dioksid karboni deri në 2030.

“Njerëzit mund të marrin elementë nga kjo shtëpi dhe t’i përshtasin në shtëpitë e tyre”, thotë Mary Haw, nga Departamenti mbi energjinë e Qëndrueshme në Kejptaun.

Ekspertët e ndërtesave të gjelbra të Afrikës së Jugut thonë se ai që njihet si koncepti “karbon zero neto” nuk duhet të kufizohet vetëm në Kejptaun. “Zeroja neto” i referohet arritjes së një ekuilibri mes emetimit dhe përthithjes nga atmosfera të së njëjtës sasi, apo eleminimit të dioksidit të karbonimit që emetohet.

“Projekti Shtëpia ime e pastër dhe e gjelbërt mund të zbatohet patjetër në shkallë kombëtare. Është shembull i një projekti që synon të eleminojë emetimin e dioksidit të karbonit. Është ndërtuar me materiale që tashmë i kemi në dispozicion dhe është e mundur realisht”, thotë Georgina Smit, e këshillit mbi ndërtesat e gjelbra në Afrikën e Jugut.

Afrika e Jugut ka vuajtur për vite me radhë nga ndërprerja e energjisë elektrike çka e ka lënë popullatën në errësirë për orë të tëra.

Si për ironi, problemet e Afrikës së Jugut me energjinë elektrike mund t’i ndihmojnë vendasit që të orientohet edhe më shumë drejt ndërtimeve që elemininojnë emetimin e dioksidit të karbonit.