Prokurori: Po hetohet Llapi – Drenica, nën hetime edhe Feronikeli

Prokurori dhe kryetari i Këshillit Kombëtar për luftimin e dukurive negative në sport, Besim Kelmendi, në emisionin sportiv “Favorit” ka treguar se janë grumbulluar informata lidhur me dyshimet për kurdisje të ndeshjes mes Llapit dhe Drenicës. Po ashtu ka njoftuar kanë nisur hetimet edhe për ndeshjen e Kupës mes Feronikelit e Ballkanit, pas akuzave të presidentit të “Niklit”, Naser Ramaj, i cili e ka quajtur të shitur gjyqtarin e asaj ndeshje.

“Për ndeshjen e fundit ne menjëherë kemi marrë informacione nga njerëzit që i kanë poseduar ato dhe kemi kërkuar si Këshill nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, sepse ajo është kompetente për këtë territor, që secili prokuror i rastit ta marrë me seriozitet të madh këtë dyshim dhe të verifikohen të gjitha pretendimet e secilit individ, në mënyrë që të dalë e vërteta në shesh”, ka thënë Kelmendi në emisionin e sportit “Favorit”.

Ai ka treguar se Policia është autorizuar nga prokurori të nis intervistimi i të dyshuarve. ““Kemi kërkuar nga Policia të merret me urgjencë me këto raste dhe Policia është pajtuar”, tha ai.

“Prokurorët janë duke grumbulluar informata, kemi siguruar disa informata të cilat do të jenë shumë të rëndësishme për prokurorin që të vendosë se a do të ngre aktakuzë apo si do të veprojë. Do të thirren njerëz për të intervistuar”, u shpreh prokurori Kelmendi