Presidenti i Panamasë përgëzon Kosovën për marrëveshjen e Uashingtonit

Pas pjesës ceremoniale në një bisedë të shkurtër me Cortizo, Telaku shprehu gatishmërinë e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Panamasë si dhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Nga ana e tij, kreu i shtetit të Panamasë, Laurentino Cortizo Cohen i uroi mirëseardhje diplomates kosovare në misionin e saj në këtë vend dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Ai, po ashtu, e uroi diplomaten kosovare dhe Kosovën për Marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington në shtator të këtij viti.

Njoftimi i plotë i ambasadës, pa ndërhyrje:

Ambasadorja Telaku i dorëzoi letrat kredenciale te Presidenti i Panamasë, Laurentino Cortizo Cohen

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Panama, znj. Heroina Telaku, i dorëzoi të hënën letrat kredenciale te Presidenti i Republikës së Panamasë, z. Laurentino Cortizo Cohen.

Ceremonia solemne e dorëzimit të letrave kredenciale është zhvilluar në Pallatin Presidencial të Panamasë “Las Garzas” me një pritje të gardës ceremonial. Prezent në këtë ceremoni ishte edhe Ministri i Punëve të Jashtme i Panamasë, z. Alejandro Ferrer.

Pas pjesës ceremoniale, e cila këtë herë ishte më ndryshe për shkak të situatës me pandeminë, në një bisedë të shkurtër me Presidentin Cortizo, Ambasadorja Telaku i përcolli përshëndetjet e Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, bashkë me falënderimin për përkrahjen dhe bashkëpunimin që Panamaja i ka ofruar Kosovës ndër vite.

Ambasadorja Telaku shprehu gatishmërinë e Republikës së Kosovës për thellimin e këtij bashkëpunimi të shumanshëm ndërmjet Kosovës dhe Panamasë si dhe për avancimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

Presidenti i Republikës së Panamasë, z. Laurentino Cortizo Cohen i uroj mirëseardhje Ambasadores Telaku në misionin e saj në Panama dhe shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Ai, po ashtu, e uroi Ambasadoren Telaku dhe Republikën e Kosovës për Marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington në shtator të këtij viti.

Ambasadorja Telaku, është ambasadorja e dytë e Kosovës në Panama. Para se të emërohej ambasadore në Panama, znj. Telaku ka shërbyer si e Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Londër.

#KosovoinPanamá 🇽🇰🇵🇦. /Lajmi.net/