Predan për MIA-n: Nëse BE-ja nuk arrin të plotësojë hapësirën në rajon, atëherë dikush tjetër do ta bëjë këtë

Shkup, 27 nëntor – Besoj se rajoni meriton perspektivë të qartë evropiane. Le të shpresojmë që vitin e ardhshëm në të njëjtën kohë nuk do të ketë nevojë të flasim se sa është e rëndësishme perspektiva evropiane, por do të mund të themi se perspektiva evropiane është tashmë këtu, se tashmë jeni duke zhvilluar bisedime. Unë jam thuajse i sigurt se kjo do të ndodhë, do të mësojmë në dhjetor, por kjo gjithsesi do të ndodhë në janar, shprehet në intervistën për MIA-n ambasadori slloven në vend, Millan Predan.

Predan konsideron se nëse Bashkimi Evropian nuk arrin të plotësojë hapësirën në rajon, dikush tjetër do ta bëjë këtë.

Ambasadori slloven, në intervistën për MIA-n, vlerëson se sinjalet që mbërrijnë nga Sofja janë inkurajuese, duke bërë të dotir se kryeministri potencial i ri i Bullgarisë ka qasje më racionale, duke thënë se historia nuk duhet të jetë çështja kryesore në dialogun dypalësh, por vetëm pjesë e tij.

Ai mbetet optimist për zgjidhje deri në fund të vitit, por nga ana tjetër realiteti është se afati kohor është i shkurtër, ndërsa në Bullgari ende nuk ka qeveri politike.

“Dhe kjo është kornizë e ngushtë kohore. Sidomos nëse marrim parasysh situatën aktuale në të dyja vendet – në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari. Por, shpresojmë që situata në vend do të qartësohet në ditët në vijim me qëllim që të shihet nëse pushteti do të ketë një shumicë të re në Parlament dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme. Tani kemi kryeministër të dorëhequr dhe është e rëndësishme të kemi një qeveri të fortë politike në mënyrë që të marrë vendime të vështira politike. Dhe përfundimisht, për të arritur zgjidhje me Sofjen do të nevojitet vendime të mëdha politike. Nga ana tjetër, kemi situatë edhe në Bullgari. E mira është se atje do të formohet Qeveria pas zgjedhjeve të treta parlamentare, atje është zgjedhur president, por është vështirë të pritet që ai vetë, pa Parlament të konstituuar, të marrë vendime politike”, shprehet Predani për MIA-n.

Me ambasadoren sllovene biseduam edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, rritjen e kuotave të studentëve maqedonas që studiojnë në Slloveni, përballjen me krizën e Kovidit…

Javën e kaluar në Shkup ishin presidenti polak dhe ministri i Jashtëm austriak, paraprakisht për vizitë të parë erdhi edhe kryeministri holandez Mark Rute. Të gjithë dhanë mbështetje të qartë dhe të fortë për fillimin e bisedimeve në dhjetor. Sekretari shtetëror slloven për çështje evropiane, Dovzhan, në takimin për çështje të përgjithshme shfaqi shpresën se deri në fund të presidencës sllovene me BE-në do të zgjidhet ky problem dhe se procesi duhet të jetë pozitiv. A është reale të pritet fillim i bisedimeve deri në fund të këtij viti, nën presidencën e Sllovenisë me BE-në?

– Ne mbetemi optimistë se kjo mund të ndodhë. Vitet e fundit besoj se nuk ka pasur një konsensus kaq të gjerë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë bisedimet gjatë presidencës sllovene. Ky ishte një nga qëllimet tona kryesore gjatë presidencës së BE-së, për të mbajtur Ballkanin Perëndimor lart në agjendën e BE-së. Ky konsensus i gjerë tregoi se ne kemi arritur në masë të madhe ta bëjmë BE-në më të vendosur për zgjerimin.

Por, nga ana tjetër duhet të jemi realistë. Koha është e shkurtër, kemi afërsisht dy ose tre javë deri më 14 dhjetor kur do të mbahet Samiti i BE-së dhe kur do të merret vendim formal për fillimin e bisedimeve me të dyja vendet. Dhe kjo është kornizë e ngushtë kohore. Sidomos nëse e marrim parasysh situatën aktuale në të dyja vendet – në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari. Por shpresojmë që situata në vend do të qartësohet në ditët në vijim me qëllim që të shihet nëse pushteti do të ketë një shumicë të re në Parlament dhe kjo do të jetë shumë e rëndësishme. Tani kemi kryeministër të dorëhequr dhe është e rëndësishme të kemi një qeveri të fortë politike në mënyrë që të marrë vendime të vështira politike. Dhe përfundimisht, për të arritur zgjidhje me Sofjen do të nevojitet vendime të mëdha politike.

Nga ana tjetër, kemi situatë edhe në Bullgari. E mira është se atje do të formohet Qeveria pas zgjedhjeve të treta parlamentare, atje është zgjedhur president, por është vështirë të pritet që ai vetë, pa Parlament të konstituuar, të marrë vendime politike

Situata është mjaft e ndërlikuar dhe për të arritur kompromis, në planin dypalësh na duhen qeveri politike nga të dyja palët. Si rrjedhojë shtrohet pyetja nëse këtë do ta kemi deri nga mesi i dhjetorit, nga pala bullgare. Konsideroj se është ende realiste të pritet që të paktën të përgatitet terreni për të arritur marrëveshje, që mund të arrihet në janar. Ju keni pritur kaq gjatë, kështu që nuk do të jetë tragjedi nëse prisni edhe disa javë. Presidenca franceze do të dëshirojë të mbështesë vendimin e tillë në janar, në fillim të presidencës së tyre të BE-së.

Tani kemi dy çështje për të zgjidhur – e para është çështja dypalëshe dhe inkurajojmë qeverinë tuaj që të arrijë njëfarë marrëveshje lidhur me udhërrëfyesin. Grupet e punës në të dy ministritë e jashtme realizuan disa takime në të cilat biseduan për implementimin e marrëveshjes dypalëshe mes dy vendeve të nënshkruar në vitin 2017. Pala bullgare propozoi se si e shohin ata zgjidhjen e kësaj çështjeje, pala maqedonase tashmë ka përgatitur përgjigje për këtë, tani do të jetë e rëndësishme që këto grupe ekspertësh të takohen sa më shpejt të jetë e mundshme dhe shpresoj se kjo do të ndodhë në dhjetë ditët e ardhshme. Kjo do të na japë shansin për të arritur ndoshta ndonjë zgjidhje të çështjes dypalëshe.

Çështje tjetër është se si do t’u dilet në ndihmë kërkesave bullgare me atë që BE-ja në njëfarë mënyre do të vëzhgojë procesin e zbatimit të marrëveshjes dypalëshe.

Nuk ka konsensus në BE që kërkesat bullgare të përfshihen në kornizën e bisedimeve dhe kjo nuk do të duhej të ndodhë. Ka pasur edhe propozime të tjera se si t’u përgjigjet kërkesave të tyre. Presidenca jonë po punon për zgjidhje të mundshme që do të jenë të pranueshme për të gjitha vendet, duke përfshirë edhe Bullgarinë, por nuk mund të hyj në detaje.

Jam i bindur se nëse gjendet zgjidhje në nivel dypalësh, do të jetë më e lehtë për të gjetur zgjidhje për çështjen e dytë.

Në Bullgari kishte zgjedhje. Koalicioni fitues paralajmëroi qasje të re dhe bëri deklarata më të moderuara për çështjen mes Shkupit dhe Sofjes. Por, përkundër faktit se politikanët evropianë i kërkuan Sofjes të ketë qasje më konstruktive dhe të heqë veton, autoritetet bullgare porositën se politika e Sofjes ndaj vendit mbetet e pandryshuar, por presin që dialogu me Shkupin të çojë në rezultate konkrete. Si e komentoni këtë?

– Në periudhën e kaluar kishim sinjale të përziera nga Sofja. Për ne janë inkurajuese deklaratat e kryeministrit potencial Petkov, i cili ka qasje më racionale, duke thënë se historia nuk duhet të jetë çështja kryesore në dialogun dypalësh, por vetëm pjesë e tij. Ekonomia, arsimi, kultura, mediat… dhe konsideroj se kjo është qasja e mirëfilltë dhe kjo na jep shpresë se do të ketë vullnet politik nga pala bullgare për të arritur marrëveshje.

Vullneti politik është thelbësor. Nëse nuk doni të bëni marrëveshje, është e vështirë të bindni dikë që ta bëjë atë. Së pari na duhet zgjidhje dhe për këtë duhet të dyja palët të tregojnë vullnet, jo vetëm njëra. Narrativi që dëgjojmë nga Sofja tani është më ndryshe dhe na jep shpresë se do të arrijmë zgjidhje për këto çështje.

Çështjet që pala bullgare i vendos në tavolinë nuk do të zhduken, ato do të mbeten në tavolinën e bisedimeve, por ne themi le të fillojnë bisedimet dhe pas kësaj do të kemi kohë të mjaftueshme për të zgjidhur çështjet e mbetura.

Është inkurajuese që javët e fundit çështja e identitetit, gjuhës, çështjet që janë të ndjeshme për palën maqedonase, nuk janë në plan të parë. Tani po flasim për çështje të tjera, për të drejtat e qytetarëve bullgarë në Maqedoninë e Veriut, dhe këto janë çështje që përsëri me vullnet politik nga të dyja palët mund të zgjidhen shumë më lehtë sesa çështjet më të vështira. Është e vështirë të gjesh zgjidhje për çështjet e identitetit, gjuhës, që qeveria e re do t’i mbrojë para opinionit të vet. Kjo gjithashtu na jep bazë për optimizëm.

Si i zgjidhi Sllovenia çështjet dypalëshe me fqinjët e saj në procesin e aderimit në BE?

Në thelb kishim çështje të ngjashme me njërin nga fqinjët, që kushtëzonte fillimin e bisedimeve, madje edhe me ndryshimin e Kushtetutës sonë. Ky nuk ishte vendim i lehtë për ne. Nuk është e lehtë të ndryshosh Kushtetutën për shkak se këtë e dëshiron fqinji yt, edhe pse të jem i sinqertë do ta kishim bërë këtë kur do të hynim në BE. Kjo ishte çështja që të huajt të jenë pronar pasurie në Slloveni.

Në atë kohë ishte një vendim shumë i vështirë politik. Për ne, anëtarësimi në BE ishte shumë më i rëndësishëm se ajo për çfarë ishim të gatshëm të sakrifikonim disa gjëra.

Kishim disa nga këto përvoja që keni Ju sot, por ato nuk ishin aq të vështira si kjo që me çka po përballeni Ju tani.

Gjatë bisedimeve patëm edhe dialog me fqinjët e tjerë, të cilët ishin mjaft kritikë ndaj energjisë bërthamore, për termocentralin bërthamor “Kërshko”, por e gjithë kjo u zgjidh përmes dialogut. Dhe ajo që ishte shumë e rëndësishme është se ishte në interesin politik dhe ekonomik të fqinjëve tanë që ne të hyjmë në BE. Prandaj thashë se vullneti politik është gjëja më e rëndësishme për të arritur marrëveshje politike. Nëse nuk e keni këtë vullnet atëherë do të jetë e vështirë ta arrihet kjo.

Në Samitin në Bërdo u përsërit perspektiva e qartë evropiane e rajonit, por pa afate dhe kornizë kohore se kur do të ndodhë kjo. Nëse BE-ja nuk realizon dhe nuk hapen konferencat e para ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, besueshmëria e saj në rajon do të dëmtohet seriozisht. A do të krijonte kjo hapësirë për ndikime të tjera në rajon?

Gjatë përgatitjeve për Samitin në Bërdo kemi theksuar se nëse BE-ja nuk arrin të plotësojë hapësirën, atëherë do ta bëjë këtë dikush tjetër. Kur përmenda Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor në Bërdo, ne u përpoqëm t’i sjellim të gjithë nga BE-ja që mund të ndihmojnë në zgjidhjen e çështjes dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Ishte hera e parë kur të gjithë liderët e BE-së ishin të pranishëm në samit të tillë, meqë në samitet e mëparshme disa vende kanë rezerva, e kam fjalën për vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Këtë herë të gjithë ishin të pranishëm, kishte shumë diskutime dhe dialog – ishte i pranishëm presidenti bullgar, si edhe kryeministri juaj.

Bëmë gjithçka që mundëm. Nuk kishim iluzione se do t’i zgjidhnim të gjitha çështjet në një samit, por u përpoqëm të krijonim atmosferë nga e cila mund të rezultonin zgjidhje. Fatkeqësisht, nuk ia dolëm mbanë në këtë pjesë. Gjithashtu, nuk arritëm të bindim disa vende anëtare për njëfarë kornize kohore për zgjerimin. Ne propozuam vitin 2030 si afatin deri në të cilin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen anëtarë të BE-së. Por, megjithatë ia dolëm të lëmë fjalën “zgjerim” në deklaratën, megjithëse për disa mund të mos jetë shumë e rëndësishme, por gjithsesi është. Disa vende shprehën dyshime për përdorimin e fjalës. Por, ia dolëm. Gjithashtu u morëm vesh që samite të tilla të mbahen çdo vit. Samiti i radhës do të jetë në vjeshtën e vitit 2022 nën presidencën e Republikës Çeke.

U morëm vesh për ndihmë të konsiderueshme financiare për rajonin – nëntë miliardë euro për investime dhe rreth 30 miliardë euro së bashku me grantet. Kjo është ndihmë shumë e rëndësishme për rajonin. Ishte konfirmim se BE-ja ka interes të mos lejojë që rajoni të mbetet jashtë.

Siç thatë ju, mund të lihet mundësi për lojtarë të tjerë në rajon. Interesi i tyre është legjitim për sa kohë që ata nuk përpiqen të promovojnë mjete të dhunshme, mënyra jodemokratike, por ndikimet ekonomike, afariste janë legjitime.

Konsideroj se rajoni meriton perspektivë të qartë evropiane. Le të shpresojmë që vitin e ardhshëm në të njëjtën kohë nuk do të ketë nevojë të flasim se sa është e rëndësishme perspektiva evropiane, por do të mund të themi se perspektiva evropiane është tashmë këtu, se tashmë jeni duke biseduar. Unë jam thuajse i sigurt se kjo do të ndodhë, do ta mësojmë në dhjetor, por kjo gjithsesi do të ndodhë në janar.

Si kryesues të BE-së, jemi përpjekur të hapim të paktën një kapitull të ri për dy vendet kandidate që janë tashmë në bisedime, Serbinë dhe Malin e Zi, meqë as ato nuk kanë hapur asnjë në dy vitet e fundit. Bisedimet e tyre tashmë zgjasin një kohë të gjatë dhe shpresoj që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do t’i përfundojnë bisedimet më shpejt.

Njerëzit duhet të dinë se Maqedonia e Veriut tashmë është integruar në masë të madhe në BE. Kriza e Kovidit tregoi gjithashtu se jeni pjesë e BE-së me të gjithë ndihmën që u dërgua, ndihmën financiare dhe pajisjet mjekësore, si dhe vaksinat.

Është e vërtetë që BE-ja në fillim të krizës së koronavirusit duhej të përballet me problemet e saj, e disa vende që nuk janë në Bashkimin reaguan më shpejt, duke lënë përshtypjen se ndihmuan më shumë se BE-ja, gjë që nuk është e vërtetë. Nëse krahasojmë sa vaksina ka marrë vendi juaj nga vendet e BE-së, këtu ka një ndryshim të madh. BE-ja nuk e ka lënë pas dore as Maqedoninë e Veriut, as rajonin.

Zbatimi i reformave, përveç zgjidhjes së çështjes me Bullgarinë, është gjithashtu vendimtar për aderimin në BE. Lufta kundër korrupsionit përmendet shpesh si fushë ku duhet kushtuar më shumë vëmendje. Në cilat reforma duhet të punojnë autoritetet?

Lufta kundër korrupsionit është me rëndësie të madhe. Korrupsioni shkatërron shoqërinë. Të jesh i suksesshëm në luftën kundër korrupsionit do të thotë të jesh më tërheqës për investitorët, do të thotë më shumë vende pune, si dhe më shumë ndihmë në para. Nëse ndiqni diskutimet për këtë në vend, të krijohet përshtypja se gjithmonë të tjerët janë ata që e bëjnë korrupsionin. Ai ka shumë fytyra dhe fillon me çdo individ që beson se me ryshfeti fitohen benefite. Prandaj kjo luftë është e vështirë.

Përveç institucioneve shtetërore që kanë kompetenca për të luftuar korrupsionin dhe që duhet të luftojnë, është shumë i rëndësishëm edhe roli i mediave. Zbulimi i korrupsionit, dhe jo vetëm korrupsion të lartë, mund të kontribuojë vërtet drejt luftës. Meqë nëse zbuloheni, ky është argument i mirë që disa të thonë se herën tjetër do të jenë më të kujdesshëm.

Prandaj e theksoj rolin e mediave dhe sigurisht pavarësinë e gjyqësorit. Kjo është edhe një tjetër reformë që është vendimtare.

Ndërsa reforma e tretë, e cila është gjithashtu shumë e rëndësishme, janë reformat në fushën e mjedisit jetësor. Vendi juaj ka një natyrë kaq të bukur, duhet ta ruani atë.

Mund të them me krenari se jemi shpallur vendi më i pastër në botë, por mendoj se kjo është çështje e mentalitetit. Por, është gjithashtu kombinim i fushatave për ngritjen e vetëdijes.

Vendi juaj gjithashtu duhet të punojë në infrastrukturën – nëse nuk keni ku të hidhni mbeturina, ju e dini se çfarë ndodh. Gjithashtu, nevojiten edhe sanksione nëse shkatërrohet mjedisi jetësor.

Të gjitha reformat për të cilat po flasim, meqë ndonjëherë kam përshtypjen se reformat po bëhen vetëm për hir të BE-së, duhet të zbatohen për ju, për njerëzit që jetojnë këtu. BE-ja mund të insistojë në ato reforma. Në krahasim me Slloveninë, ne i filluam reformat sepse dikush nga Brukseli na tha se duhet. Qasja juaj duhet të jetë që ju t’i bëni reformat për veten tuaj.

Çështja se kur do t’i filloni bisedimet dhe kur t’i përfundoni ato, është më pak e rëndësishme. Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, rruga drejt saj është po aq e rëndësishme sa edhe qëllimi. Në këtë proces, vendi duhet të bëjë ndryshime për të mirë.

Para se të hyni në diplomaci, keni qenë gazetar shumëvjeçar. Si rrjedhojë është pyetja ime e radhës – si e vlerësoni situatën e tanishme me Agjencinë Telegrafike Sllovene – STA. Agjencia pak ditë më parë mori pagesën e parë pas thuaja një viti, me çka është shmangur falimentimi i saj. Si ndikon e gjithë kjo në pavarësinë e agjencisë?

Kam qenë gazetar 25 vjet, e për një dekadë drejtor i gazetës së dytë më të madhe. Si kryeredaktor, kam pasur gjithmonë përvojë të mirë me STA-në. E ndjek situatën përmes mediave. Nuk kam informacion të brendshëm për problemet mes Qeverisë dhe agjencisë. Pasi dha dorëheqje drejtori i mëparshëm dhe u emërua drejtori i ri, brenda një jave është nënshkruar marrëveshje me Qeverinë. Nuk e di se çfarë ka ndryshuar ndërkohë dhe si ka qenë e mundshme të arrihet marrëveshje vetëm një javë pas dorëheqjes së drejtorit të mëparshëm. Agjencia me siguri nuk do të falimentojë, tashmë ka bisedime se si do të mbulohen borxhet për vitin 2021, ndërsa tashmë ka edhe bisedime për kontrata për vitin 2022. Gjysma e fitimit të agjencisë janë nga tregu dhe gjysma tjetër nga shteti.

Nuk jam i shqetësuar për të ardhmen e agjencisë, nuk ka qenë e lehtë për të punësuarit atje, por besoj se kjo çështje do të zgjidhet. Gjithashtu, nuk ka nevojë për shqetësim për lirinë e medias në Slloveni. Shqetësim duhet të ketë kur të gjitha mediat kryesore në një vend janë proqeveritare. E në Slloveni është pikërisht e kundërta. Të gjitha mediat kryesore, televizionet kombëtare, televizionet kryesore private dhe të gjitha gazetat e përditshme nuk mund të konsiderohen proqeveritare. Kjo është dëshmi se liria e medias nuk është rrezikuar.

Nga dora e parë kam përjetuar presion në periudha të ndryshme, derisa isha redaktor gazete. Ka pasur raste kur presionet kanë qenë më të theksuara, edhe raste kur kanë qenë të fshehura, por ka pasur gjithmonë, meqë politika kërkon gjithmonë të ketë ndikim në media. Përgjigjja ndaj kësaj është – profesionalizëm. Nevojitet profesionalizëm dhe gazetarët nuk duhet të shqetësohen se çfarë mendojnë politikanët për punën e tyre. Nëse jeni të bindur se punoni siç duhet, atëherë pse të shqetësoheni për atë që mendon politikani. Nëse gazetarët kanë obligim të jenë kritikë ndaj qeverisë, atëherë politikanët kanë të drejtë të jenë kritikë ndaj mediave.

Dhe jo çdo kritikë e politikanëve është kritikë ndaj gazetarëve. Kam përshtypjen se kjo po ndodh tani – posa politikanët thonë diçka rreth mediave, kjo konsiderohet si sulm ndaj mediave.

Kam qenë gazetar në ish-Jugosllavi, e dini si ishte atëherë, ishte më e vështirë për ata që mendojnë me kokën e tyre.

Çfarë do të thotë të jesh profesionist, përgjigjja është e thjeshtë – fakte. Shumëherë ka situatë krejtësisht të ndryshme. Disa nga ish-kolegët e mi shkruajnë komente për fakte të shtrembëruara. Kjo nuk është profesionale.

Shpresoj që STA nuk do të jetë më problem dhe shpresoj që të ketë më pak aktivizëm politik, e më shumë profesionalizëm në gazetari.

Si i vlerësoni marrëdhëniet e deritanishme dypalëshe mes Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut? A ka mundësi për të forcuar bashkëpunimin ekonomik?

Nuk ka asnjë çështje të hapur në marrëdhëniet dypalëshe. Edhe gjatë historisë, qëkur jemi të pavarur nuk kemi pasur ndonjë kontest, që është dëshmi se ende do të

kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Sa i përket bashkëpunimit ekonomik, për shkak të kovidit, shkëmbimi tregtar është ulur, mendoj se ka pasur një rënie prej gjashtë për qind në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019. Ende nuk kemi të dhëna për vitin 2021, por është e vërtetë që për arsye evidente kompanitë tona kanë ulur prodhimtarinë. Kompanitë që janë këtu, e që janë shumë, janë të kënaqura me klimën e biznesit. Nëse forcohet shteti i së drejtës, do të jenë edhe më të kënaqur.

Ne kemi një prani të fortë në sektorin financiar në vendin tuaj. “Ljubljanska Banka” është një nga bankat më të mëdha dhe më të suksesshme në vend, kompanitë tona të sigurimit kanë një monopol praktik në fondet e pensioneve. Kjo do të thotë se njerëzit këtu kanë besim në brendet sllovene. Është e rëndësishme të kemi fabrika të suksesshme këtu, veçanërisht në rajonet ku ka nevojë për më shumë vende pune.

Kur të filloni bisedimet, presim që interesi për investime të rritet. Prisnim të rritej me anëtarësimin në NATO, por do të thosha se kjo është edhe pasojë e krizës së Kovidit, meqë u bëtë anëtare pikërisht gjatë krizës dhe nuk kishte kohë për të promovuar. Gjithashtu, anëtarësimi në NATO është licencë sigurie, pasi kjo nënkupton edhe siguri të investimeve. Përveç NATO-s, anëtarësimi në BE sigurisht që do të rrisë interesin e kompanive tona për investime. E do të donim edhe investime maqedonase në Slloveni, ka disa, por mund të ketë edhe më shumë.

Ka interes të madh te të rinjtë nga vendi për të studiuar në Slloveni. A ka mundësi për të rritur kuotën për studentët tanë që duan të studiojnë atje? Sa studentë nga vendi në këtë moment studiojnë në Slloveni dhe cilat fakultete janë më të kërkuara?

Nuk kemi të dhëna të sakta për sivjet, meqë ka filluar në tetor, ndërsa për vitin e kaluar kemi dy lloje të dhënash – më shumë se 1300 studentë nga Maqedonia e Veriut kanë studiuar vitin e kaluar akademik. E sipas disa të dhënave zyrtare ka pasur 200 më pak, nuk e di pse diferencë aq e madhe. Ata janë një nga grupet më të mëdha të studentëve të huaj në Slloveni dhe meqë nuk paguajnë shkollimin, për shumë të rinj maqedonas nëse duan të studiojnë në BE, në vend që të studiojnë në një nga vendet e Evropës Perëndimore, mund ta bëjnë në Slloveni, sepse për shembull nuk ka barrierë të madhe gjuhësore.

Studentët tuaj respektohen në fakultetet tona, sepse janë të motivuar dhe të përkushtuar, e mësojnë gjuhën shumë shpejt dhe sinqerisht dëshirojmë më shumë studentë tuaj në Slloveni.

Gjithashtu, dëshirojmë që disa të kthehen nga Sllovenia në vendin tuaj. Ky është një problem tjetër, shumica nuk kthehen. Por, unë gjithmonë them se ka më shumë mundësi që të kthehesh nga Sllovenia sesa nga Gjermania, Zvicra apo Britania e Madhe.

Ne do t’i inkurajojmë kompanitë tona në Maqedoninë e Veriut që t’u qasen studentëve të mirë gjatë studimeve dhe t’i motivojmë ata të kthehen në Maqedoni dhe të punojnë për kompanitë sllovene, meqë i dinë të dyja gjuhët.

Kemi shembuj që edhe kjo ka ndodhur. Drejtori i “Perutnina Ptuj”, një nga markat më të njohura të pulës, ka studiuar në qytetin tim të lindjes Maribor, aty edhe e kam njohur. Nuk e dija që ishte kthyer në Maqedoni.

Kjo është e ashtuquajtura situatë “vin-vin”, por fatkeqësisht nuk është dukuri e shpeshtë. Ne kemi ndjenja të përziera – duam studentë nga Maqedonia, janë të mirëpritur, por ajo që është edhe më e rëndësishmea, ata zgjedhin të studiojnë atje

ku ka nevojë për personel, mjekësi, shkenca natyrore, dhe ky është një përfitim për studentët tuaj atje – ata zgjedhin të studiojnë atje ku ka mungesë në tregun e punës. Aq më tepër që një numër i madh i personelit mjekësor shkon për të punuar në Austri apo Gjermani.

Ambasador Predan, për fund, si po përballet Sllovenia me valën e re të Kovidit? Në vendin tuaj keni pasur edhe demonstrata masive kundër masave kufizuese për përballje me pandeminë. A mund të tërhiqni një paralele me përballjen me Kovid-19 në Maqedoninë e Veriut dhe në Slloveni?

Duhet të pranojmë se situata me Kovidin në Slloveni nuk është e mirë. Ka ende numër të madh të rasteve të reja. Në muajt e fundit, shifrat kanë shkuar nga 35 në 45 për qind të infeksioneve të reja nga të testuarit, që është numër vërtet i lartë. Spitalet janë plot me pacientë, sidomos me të rinj. Tani për tani, edhe pse me shumë vështirësi, spitalet po arrijnë të përballojnë presionin. Pse është kjo kështu – megjithëse kemi shumë vaksina, ne ende kemi një numër të vogël të personave të vaksinuar. Këta nuk janë vetëm problem në Slloveni, por është problem i madh në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore. Ne kishim edhe protesta, nuk ishin aq të dhunshme si në disa vende të tjera. Ka një lëvizje të fortë kundër vaksinës. I kemi forcuar edhe më shumë masat kufizuese. Ne nuk kemi vendosur të mbyllim shoqërinë si në Austri dhe në Sllovaki. Me siguri edhe nuk do ta bëjmë këtë për shkak të ekonomisë.

Nëse shikoni shifrat, në përgjithësi, situata është më e mirë në Maqedoninë e Veriut për momentin. Gjëja më e rëndësishme është që sistemi shëndetësor të mund të plotësojë nevojat, mund të pritet që pasojat e atyre që nuk duan të vaksinohen të mos jenë aq serioze.

Numri i të infektuarve tashmë është i qëndrueshëm, por megjithatë i lartë.

Do të thosha se shumica e shoqërive janë viktima të individualizmit. Nuk do ta harroj deklaratën e një protestuesi në një protestë në Lubjanë – për mua, liria është më e rëndësishme se shëndeti. Dhe pyesni veten – cila është kjo logjikë. Duhet të pyesim veten – a jemi vërtet qendra e universit dhe nuk tregojmë solidaritet të mjaftueshëm? E vërteta e thjeshtë është se “të drejtat e mia janë gjithmonë të kufizuara, për dallim nga ato të të tjerëve”. Pasi kjo të përfundojë, për çka shpresoj, do të kemi bazë për ta diskutuar këtë.