Policia dhe inspektorët në aksion: Në Prishtinë shqiptohen gjashtë gjoba dhe mbyllen katër lokale

Policia e Kosovës së bashku me inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës kanë nisur sonte një aksion për të monitoruar zbatimin e masave anti-COVID të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

Media e ka përcjell aksionin e zhvilluar në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë në lokacionin e njohur si “Kafet e vogla”.

Lidhur me aksionin në Edicionin Special detaje ka dhënë drejtori ekzekutiv i AVUK-ut Naser Krasniqi.

” Ashtu siç është kërkuar sot në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në shtimin e masave anti-COVID, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës bazuar në Ligjin anti-COVID dhe parandalimin e sëmundjeve ngjitëse ka intensifikuar inspektimet. Nesër do të kemi edhe 75 inspektorë të rinj. Kemi hartuar një plan operativ të zbatimit të masave. Do të vazhdojmë në procedimin dhe shpërndarjen në gjashtë qendrat e Kosovës, ku përmes koordinatorëve të zyrave, inspektorëve dhe policisë do të zbatojmë implementimin e masave anti-COVID”.

“Masat deri diku po respektohen mirëpo nuk do të thotë se po respektohen në tërësi, andaj nga nesër kemi kapacitet më të lartë dhe do të intensifikohen masat e kontrollit. Kështu që nuk do të ketë asnjë tolerim që respektimi i masave të kryhet në tërësi”.

” Tashmë dihet se vetëm në Prishtinë janë shqiptuar gjashtë gjoba dhe janë mbyllur katër lokale, Ndërkaq nga vendet e tjera nuk kemi akoma informacione”.

“Një lokal kishte muzikë live dhe të tjerat për shkak të distancës dhe masave tjera”.

“Vetëm në tremujorin e fundit ka shqiptuar rreth 2 mijë e 360 tek personat fizik, ndërkaq tek operatorët e biznesit diku 760 gjoba”.