Podujevë: Shërohen dy pacientë nga koronavirusi, konfirmohet një rast i ri në fshatin Shajkoc

Dy qytetarë nga Komuna e Podujevës janë testuar sot për virusin korona, njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv.

Ky rast po dyshohet të jetë rast kontakti, ndërsa i njëjti është nga fshati Shajkoc i Podujevës. Kështu ka thënë edhe epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

Rama ka shtuar se personi që ka dalë pozitiv për COVID-19, ka qenë pacient nëpër klinika, ku edhe dyshohet të jetë infektuar.

“Sot ka dalë edhe një rast me COVID-19 në Podujevë, i cili është nga fshati Shajkoc. Për burimin e infeksionit ende s’i kemi marrë informatat, por ai ka qenë në vizita mjekësore tek mjekët. Në lidhje me këtë rast, nesër do të dalim për t’i marrë më shumë informacione. Pra, përveç të këtij rasti që ka dalë pozitiv, një tjetër i cili është testuar në Klinikën Infektive ka rezultuar negativ”, ka thënë Rama.

Epidemiologia Rama ka theksuar se edhe dy pacientë llapjanë e kanë fituar “luftën” ndaj këtij virusi, kurse numri i rasteve aktive tashmë është 19.

“Dy pacientë janë shëruar sot nga virusi korona. Tash për tash i kemi 19 raste aktive me këtë të fundit të konfirmuar. Gjendja e tyre është e mirë, një pacient e kemi në Klinikën Infektive, me të cilin kam biseduar sot dhe është në përmirësim. Ndërsa, pacientët e tjerë janë në shtëpi, por që kanë simptoma të lehta”, ka thënë Rama.

Të shtunën në Kosovë janë konfirmuar edhe 96 raste me koronavirus, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 2590.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 87 pacientë. Sipas IKSHPK-së, numri i përgjithshëm i të shëruarve, tani ka arritur në 1.394.

Që nga rastet e para të konfirmiuara me sëmundjen COVID-19, në Kosovë kanë vdekur 48 pacientë, të cilët kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese.