Pjanic-Arthur, shkëmbimin e mbajnë “peng” 10 milionë €

Arthur afrohet me Juventusin, Miralem Pjanic me Barcelonën. Palët po tentojnë marrëveshjen, duke llogaritur jo vetëm shkëmbimin kokë për kokë mes lojtarëve në fjalë, por edhe ndonjë shumë të caktuar parash. “Tymi i bardhë” pritet deri më 30 qershor, afati i fundit për katalanasit, të cilët duan të shmangin mbylljen e përkeqësuar të vitit ekonomik.

Këto do të jenë dy operacione të palidhura zyrtarisht si shkëmbim. Juventusi duhet ta pranojë kartonin e brazilianit për 70 milion €, sa kërkon Barcelona; ndërsa shitja e Pjanic, e cila mund të materializohet në fillim të korrikut, llogaritet për një çmim 60 milionë €. Të dyja klubet janë duke punuar ende në drejtim të diferencës së vlerësimit prej 10 milionë €. Ky hendek financiar, gjithashtu diktohet nga mosha më e re e Arthur, i lindur më 1996, në krahasim me boshnjakun, i lindur më 1990.

Pas “nokaut”-it në finalen e Kupës së Italisë, “Zonja e Vjetër” rriti presionin ndaj Barcelonës dhe brazilianit për t’i dhënë drejtim çështjes. Nëse më parë Arthur dukej i vendosur për të mos u larguar nga Katalonja, pas ndeshjes me Athletic Bilbao skenarët kanë ndryshuar. Setien pranoi se klubi synon të fitojë para duke shitur Arthur dhe marrë një lojtar tjetër të kalibrit të Pjanic.

Juve dhe Barça duket se janë gati për ta mbyllur shkëmbimin, topi tani i kalon brazilianit, i cili duhet të largojë dyshimet e fundit për t’u transferuar në Torino. Tashmë është në duart e tij që marrëveshja të kryhet deri më 30 qershor. Natyrisht, duhet zgjidhur edhe çështja e diferencës prej 10 milionë € në vlerësimin e bërë nga klubet për dy lojtarët.