Pique stërvitet me ekipin dy ditë para “El Clasicos”

Gerard Pique u trajnua me pjesën tjetër të skuadrës të enjten përpara “El Clasicos” mes Barcelonës dhe Real Madridit të shtunën.

Qendërmbrojtësi 34-vjeçar gjithashtu punoi në terrenin e Barcelonës të mërkurën, pavarësisht nga fakti që Ronald Koeman u kishte dhënë lojtarëve të tij një ditë pushimi.

Pique gradualisht është duke u rikuperuar nga dëmtimi i tij, por mbetet të shihet nëse ai do të jetë në dispozicion të Koeman për Real Madridin në Estadio Di Stefano.

Mbrojtësi katalanas është i interesuar për të ndihmuar ekipin e tij në pjesën e fundit të sezonit 2020/21, por trajneri holandez e ka bërë të qartë se ai nuk do të ndërmarrë ndonjë rrezik të panevojshëm dhe nuk do të nxitojë kthimin e lojtarit të tij në aksion.

Prandaj, Pique do të udhëtojë në kryeqytetin spanjoll vetëm në rast se ai është shëruar plotësisht nga dëmtimi i tij në gju.

Ndërkohë, Antoine Griezmann nuk mori pjesë në seancën e së enjtes pasi u bë baba për herë të tretë.

Për kuriozitet, të tre fëmijët e tij kanë lindur më 8 prill.