Pesë të vdekur pas shpërthimit në fabrikën e armëve

Suel, 01 qershor, medial.mk/ – Të paktën pesë persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën rëndë, pas një shpërthimi që ndodhi sot në një fabrikë të industrisë së mbrojtjes në Korenë e Jugut, raportoi agjencia e lajmeve “Yonhap”.

Shpërthimi ndodhi në orët e para të mëngjesit, në fabrikën e kompanisë “Hanwha Aerospace” në qytetin e Daejeonit, rreth 150 kilometra në jug të Seulit.

Pamjet nga vendngjarja treguan re të dendura tymi të zi që ngriheshin mbi godinë.

Kryeministri i Koresë së Jugut, Kim Min Seok, urdhëroi autoritetet të mobilizonin të gjithë personelin dhe pajisjet e disponueshme për operacionet e shpëtimit.

Zyrtarët paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet.

Objekti në Daejeon konsiderohet një qendër e rëndësishme e industrisë së mbrojtjes së Koresë së Jugut.

Sipas mediave lokale, aty prodhohen motorë raketorë dhe lëndë shtytëse për raketa.

Shkaqet e shpërthimit nuk janë bërë ende të ditura dhe autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes.

Fabrika ka qenë edhe më parë skenë e incidenteve vdekjeprurëse.

Në vitin 2018, pesë persona humbën jetën në një shpërthim, ndërsa tre të tjerë u vranë në një aksident të ngjashëm në vitin 2019.

Sipas medias koreano-jugore “News1”, edhe shpërthimi i fundit mund të ketë lidhje me punimet që përfshijnë sistemet e shtytjes raketore, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Leave a Reply