Pesë pasagjerë nga fluturimi Shkup-Turku të martën ishin pozitivë të KOVID-19

/

Pesë nga 146 pasagjerët  të cilët të martën në mbrëmje me aeroplan të Vizer nga Shkupi arritën në qytetin finlandez Turku janë pozitivë të Kovid-19.

Miko Pietila, shef i spitalit rajonal të Finlandës jugperëndimore, kumtoi se dy nga të infektuarit janë shtetas  finlandez, ndërsa  tre janë me preardhje  nga Ballkani të cilët jetojnë në Finlandë. Ai informon se të gjithë pesë të infektuarit janë hospitalizuar, por nuk potencoi detaje për gjendjen e tyre shëndetësore.

Janë testuar 129 pasagjetët e aeroplanit, ndërsa 17 kanë refuzuar të testohen. Autoritetet lokale në Turku të martën  kumtuan se të gjithë pasagjerët e fluturimit  nga Shkupi janë vënë në karantinë  dhe do të testohen. Paralajmëruan se institucionet kompetente do të kontrollojnë  nëse respektohet karantina, ndërsa për shkeljen e tij eventuale janë parashikuar dënime.

Paraprakisht, autoritetet finlandeze kumtuan se nga 157 pasagjerët të cilët të shtunën me aeroplan nga Shkupi arritën në Turku,  pas testimeve të kryera, 26 ishin pozitivë të Kovid-19.

Tridhjetë pasagjerë nga fluturimi  i së shtunës janë banorë të Turkut, ndërsa pjesa më e madhe e të tjerëve janë nga rajoni Usimaa dhe pjesët tjera të Finlandës. Edhe pse nuk ka informacion zyrtar për identitetin dhe kombësinë e të infektuarve, mediat finlandeze transmetojnë se dhjetëra janë banorë të Turkut.

Ministria e Shëndetësisë të RMV-së kumtoi se sipas informatave të shërbimeve  nga Aeroporti i Shkupit dhe policia kufitare, shumica e 157-të  pasagjerëve në aeroplan janë shtetas të Kosovës dhe Finlandës, ndërsa vetëm dy janë qytetarë të Maqedonisë. Pjesa më e madhe kanë udhëtuar me pasaporta të Kosovës (95 persona), me pasaporta të Finlandës (60 persona), ndërsa të tjerët janë me pasaporta të Maqedonisë (2), shqiptare, bullgare, estoneze dhe suedeze. Bëhet fjalë për pasagjerë mërgimtarë të cilët vijnë në Maqedoni  ose tranzitojnë përmes vendit  për arsye të ndryshme, nërsa pastaj kthehen në punë  në Evropën Perëndimore, për të cilët  me leje qëndrimi ose shtetësi të BE-së  nuk vlejnë restriksionet gjatë hyrjes dhe daljes nga vendi.

Asnjëri nga pasagjerët  nuk është në listën e Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, përkatësisht nuk ka vendim për izolim për shkak të korona testit pozitiv.

Megjithatë, MPJ përmes Ambasadës në Stokholm, e cila e mbulon edhe Finlandën, e kërkoi listën me emrat e pasagjerëve  te të cilët është konstatuar prania e virusit. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, paralajmëroi se pas analizave  të të gjitha informatave do të vendoset nëse në të ardhmen do të kërkohen PCR teste për qytetarët e vendeve fqinje të cilët vetëm tranzitojnë nëpër vend.