Përplasje mes partive politike në Kuvend për mini-Schengenin, s’ka kuorum për rezolutën e VV-së

Vetëm 38 deputetë ishin të pranishëm në sallë kur u propozua rezoluta që ia pamundëson kryeministrit Avdullah Hoti ta përfshijë Kosovën në nismën rajonale mini-Shengen.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se në mungesë të vendimmarrjeje, kjo pikë do të adresohet në seancën e radhës.

“Vetëm 38 deputetë janë në sall prandaj nuk kemi kuorum për vendimmarrje”, tha Osmani.

Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar sot të votojë edhe rezolutën tjetër të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje përmes së cilës kërkohet nga Qeveria Hoti të vazhdojë aplikimet për anëtarësim të vendit në organizatat ndërkombëtare.

E interpelanca për mini-Schengenin është përcjellë me shumë përplasje mes partive politike dhe gjithashtu me polemika të mëdha.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila e paraqiti rezolutën e partisë së saj në Kuvend, duke akuzuar rëndë Hotin dhe duke argumentuar se mini-Schengeni është gjë e keqe për Kosovën.

Ajo tha se Hoti ka ndryshuar qëndrimet për mini-shengenin me gjithë dijeninë e tij se ky projekt është i dëmshëm për vendin.

“Nismat që prezantohen nga Serbia si zëvendësim i integrimeve euro-antlantike janë të dëmshme dhe papranueshme. Kuvendi nuk mbështet asnjë nismë ose deklaratë që unifikon tregun me Serbisë, përveç në BE si anëtare të barabarta”, tha ajo.

Krahas kësaj, deputetja opozitare tha se kryeministri Hoti me nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit ia ka garantuar infrastrukturën Serbisë.

“Këto kompletojnë skemën e interesave të Serbisë në rajon, asaj nuk i mjafton vetëm tregu, i duhet edhe infrastruktura. Me 4 shtator me marrëveshjet e nënshkruara nga Avdullah Hoti ia garantojnë Serbisë… pas katër shtatorit Serbia e konsideron Kosovën si territor të vetin, cila është e përbashkëta e veprimeve të fundit. I ashtuquajturi mini-shengeni ballkanik mohon ekzistencën e Kosovës si shtet, mohon kufijtë e saj shtetëror. Përjashton të drejtën e saj sovrane për të kontrolluar territorin e vet. Jep kontrolle për tregun rajonal”, tha ajo.

Ajo paraqiti edhe disa argumente të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa se pse Kosova duhet të refuzoi një nismë të tillë.

“E de faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në theks të marrëdhënieve rajonale. Marrëveshja nënkupton delegimin e fuqisë shtetërore në mini-shengen. Favorizon shtetet rajonale që kufizohen me shtetet anëtare të BE-së përmes politikës së taksës. Ndërkaq Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në. Krijon mundësi për evazion nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike Ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë. Si vend influencë më të madhe në rajon Serbia tenton që përmes kësaj të mbajë sa gjatë rajonin jashtë BE-së”, tha ajo.

Në anën tjetër, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Hoti ka thënë se zotimi i Kosovës për t’u bashkangjitur në këtë nismë duhet parë si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal.

“Zotimi ynë për bashkëngjitjen në iniciativë ne quajtur mini-shengen duhet parë në vazhdimësi si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal. Kosova në këtë nismë do të jetë bashkëpronare e plotë e përkufizimit të nismës duke ruajtur çdo interes të Kosovës. Nisma për mini-shengen është në fazën fillestare dhe Kosova do të bëhet pjesë e hartimit të këtij organizimi. Rrjedhimisht Kosova do të ketë pjesën e saj të autorësisë përgjatë procesit të harmonizimit të aranzhimeve dhe të strukturës, si dhe aspektin legjislativ, duke u përkujdesur që çdo gjë të jetë në harmoni të plotë me ligjet në Kosovë”, tha ai.

E me Hotin ka replikuar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha.

Hoxha tha se marrëveshja për krijimin e zonës mini-shengen është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Nuk po mund të kuptoj ndryshimin e qëndrimit tuaj dhe të partisë tuaj në lidhje me këtë temë. Ende pa u bërë një vit nga deklarata juaj e fuqishme kundër kësaj ideje ju u kthyet dhe e pranuat mini-shengenin. A mund të na tregoni çka ndodhi me ju, pse i ndryshuat këto qëndrime menjëherë pasi erdhët në Qeveri, ku është qëndrueshmëria e juaj politike. A nënkupton kjo që për pushtet ju jeni në gjendje që t’i ndryshoni edhe mendimet e juaja profesionale si ekonomist që jeni, pasi që mini-shengenin e keni quajtur të dëmshëm edhe në aspektin ekonomik. Më befason edhe qëndrimi i partive të tjera që i keni në koalicionin qeveritar, të cilat kur janë në Kosovë e kundërshtojnë fuqishëm mini-shengenin, ndërsa kur janë në bisedime pajtohen për të njëjtën çështje”, tha ai.

E shefi i deputetëve të PDK-së, Bedri Hamza tha se Kosova nuk mund të fitoi nga ky union ballkanik, duke e konsideruar si projekt me shumë të panjohura.

“Është një projekt me shumë të panjohura, unë kërko falje në se nuk ia qëllojë krejt sepse nuk kemi diçka të shkruar. Ndoshta kryeministri e dinë, e ai pjesën më të madhe nuk është këtu. Është mirë me na njoftuar për përmbajtjen e kësaj marrëveshje në mënyrë që mos me na leju neve me hamendësuar dhe me thënë diçka që nuk qëndron”, tha ai.

Në interpelancën ku Hoti po raporton në Kuvend për mini-shengenin, Hamza akuzoi atë edhe për ndryshim të qëndrimeve për këtë nismë.

Hamza adresoi kritika edhe ndaj Hotit për ndryshim të qëndrimeve për mini-shengenit.

“Njeriu që sot është kryeministër, dhe ka nënshkruar marrjen përsipër të kësaj nisme disa muaj më parë e ka kundërshtuar, jo për qëllime të arsyetimit të pasojave dhe dëmeve që do t’i sillte një nismë e tillë në kontekstin ekonomik, por edhe reagimin e kishte bërë për qëllime politike…zotëri kryeministër çka ndryshojë që ju nga sulmuesi i madh i këtij projekti keni ndryshuar mendje dhe jeni bërë promovuesi i tij”, tha ai.

E lidhur me këtë temë, mendim pati edhe i pari i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi tha se nuk duhet krijuar panik për këtë çështje me qëllim të fitimit të votave.

“Të mos i jepet zjerm shumë kësaj situate duke parë si mundësi për një grusht vota nesër. Të mos krijojmë panik sot për disa vota nesër, sepse ne duhet të krijojmë gjendje sot për përfitim të shtetit tonë sot dhe nesër. Kjo ideja e thirrjes së këtyre seancave për të krijuar një zhurmë si rezultat i pamundësisë dhe paaftësisë së kryeministrit të kaluar që merret me këto çështje duhet të thuhet si e tillë, ka qenë i paaftë dhe i paguximshëm të merret me këto tema dhe është rezultat i paaftësisë dhe paguximit që të merret me këto tema, ka rrezikuar raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtar”, tha Gashi.

Ndaj deklaratave të Gashit ka reaguar deputetja Mimoza Kusari-Lila.

“Thotë se ne këtu sot për një grusht vota po kërkojmë llogari prej qeverisë, nëse e keni problem sistemin e vendimmarrjes, shtyllat e shtetit Kuvendin e Qeverinë nuk duhet të jeni në Qeveri. Kuvendi është vendi ku Qeveria vjen dhe jep llogari, përderisa nuk marrim përgjigje nga zoti Avdullah Hoti dhe nga zoti Isa Mustafa se çka ka ndodh në ndërkohë që kanë ndërruar diametralisht qëndrimet e tyre për mini-shengenin e nisur në Novi Sad, nuk do të ndalemi së reshturi duke kërkuar përgjigje në Kuvend dhe çdo kund tjetër”, tha Kusari-Lila.

Hoti u ngrit edhe njëherë për të replikuar me deputetët e opozitës duke thënë se nuk ka mini-Schengen të Novi-Sadit.

Hoti u shpreh se të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor do të ulen së bashku dhe do ta dizajnojnë si vende të barabarta.

“Nuk ka mini-shengen të Novi Sadit, ajo që jemi dakorduar është një mini-shengen në Shtëpinë e Bardhë për ta quar përpara. E dyta, Kosova do të jetë palë plotësisht e barabartë në këtë nismë, deri më tani nuk ka asnjë dokument ku definohet kjo nismë. Pyetja ime do të ishte edhe për propozuesen e kësaj interpelance a e ka pa kjo ose dikush tjetër ndonjë marrëveshje të tillë të shkruar të cilës ne po i bashkohemi tani apo është kjo nismë e cila është shtruar dhe ne tash do të ulemi bashkë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor për ta dizajnuar si vende të barabarta, sigurisht që përgjigja ka me qenë jo, sepse nuk ekziston asnjë dokument i tillë. Prandaj, po e shtrojmë qysh në fillim, disa herë e kam thënë në këtë Kuvend është një ide, një nismë të cilën ne jemi dakorduar pas kërkesës së partnerëve tanë ndërkombëtar në Shtëpinë e Bardhë që t’i bashkohemi mbi baza plotësisht të barabarta, nuk ka asgjë të definuar. Bashkë do të ulemi dhe do ta dizajnojmë si nismë regjionale”, tha ai.

Megjithë diskutimet, në Kuvendin e Kosovës mungon kuorumi për ta hedhur në votim rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. /Lajmi.net/