Përkundër vendimit të qeverisë, tifozëve mund të mos u lejohet kthimi në stadium

Përkundër që Qeveria vendosi t’i lejojë tifozët të kthehen në stadiume për ndeshjet e ekipeve të tyre të zemrës, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, beson se ky është një rrezik që s’duhet të ndërmerret – për dallim nga trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, i cili e vlerësoi këtë si vendimin e dytë më të mirë që nga kthimi i futbollit.

Pas tre muajve pauzë shkaku i përhapjes së virusit Covid-19, liga elitare e futbollit në Kosovë rinisi në qershor. E përderisa tifozët iu gëzuan kthimit të futbollit, ata s’patën  mundësi t’i shijojnë ndeshjet siç do të mundë të kishin dëshiruar.

Si masë parandaluese për Covid-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Federata e Futbollit e Kosovës arritën marrëveshje për një protokoll për kthimin e ligës dhe kupës vendore, por duke e sakrifikuar praninë e tifozëve në stadium.

Në ndeshjet e zhvilluara deri më tani në Ipko Superligë dhe Kupë të Kosovës, tifozët kanë qenë duke u grumbulluar në ndërtesat përreth stadiumeve për t’i dhënë përkrahjeve ekipeve të tyre, përderisa thirrjet për lejimin e tifozëve në stadium kanë qenë të vazhdueshme.

Këto thirrje morën përgjigje pozitive nga Qeveria të martën, pasi që u shfuqizua vendimi i mëhershëm që i ndalonte aktivitetet publike dhe tubimet sportive, duke i lejuar kështu tifozët në stadiume nga 1 korriku. Këtë vendim e mirëpriti trajneri i Prishtinës, Armend Dallku, i cili ka kërkuar vazhdimin kthimin e tifozëve në stadiume.

“Ky është vendimi i dytë më i mirë që ka ardhur që nga kthimi i futbollit. Domethënë pas vendimit që të rinisë sezoni në Ipko Superligë, ky është vendimi më i mirë që mund të ishte marrë”, tha Dallku.

“Ne e dimë që futbolli luhet për tifozë dhe pa ata nuk është kurrë njëjtë, kështu që do të ishte më mirë për skuadrat ta kenë përkrahjen e tifozëve në stadiume”.

Megjithatë, Dallkut dhe trajnerëve të tjera të Superligës që kanë kërkuar kthimin e tifozëve në stadiume mund të mos u plotësohet dëshira prapëseprapë. Kjo pasi që sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, e ka vlerësuar kthimin e tifozëve si të rrezikshëm.

I pyetur se a do të kthehen tifozët në stadiume pas këtij vendimi, Salihu tha: “Jo, nuk besoj. Rreziku është i madh, por Komiteti Ekzekutiv do ta shqyrtoj këtë vendim”.

“Shpresoj që bile sezoni i ardhshëm të luhet me publik”